Riformatimi, gratë pritet t’i zëvendësojnë burrat në pozitat e drejtorëve

Riformatimi qeverisjes komunale të Gjilanit, duket se do ta shoh dritën shumë shpejtë.

Këtë e ka konfirmuar të enjten kryetari i Komunës, Lutfi Haziri.

Por, tek riformatimi vend të rëndësishëm do të zënë gratë.

Pritet që burrat që udhëheqin drejtoritë komunale, të zëvëndësohen nga gratë.

Aktualisht, dy drejtori udhëhiqen nga gratë. Valbona Tahiri udhëheq me Zhvillimin Ekonomik dhe Deniza Limani me Kulturën, Rinisë dhe Sportin.

Ndërsa, për postin e kryesueses së Kuvendit, që udhëhiqet nga Shpresa Kurteshi Emini, Lutfi Haziri thotë se është i barabartë me gjashtë drejtori.

“Shpresa është kryetare e burrave dhe e grave”, thotë Haziri, transmeton Mediafokus.info.

“Po mundohemi me e ballancu rolin në qeverisje. Ju siguroj që në riformatimin e qeverisjes lokale, do të rritet numri i grave në pozitat e drejtorëve”, ka theksuar kreu i kësaj komune.

Ai po ndjehet më i sigurtë kur në qeverisje gratë janë vendimmarrëse.

“Një qeverisje me pjesëmarrje më të madhe të grave, më jep siguri për qeverisje më të drejtë, më pak të korruptuar dhe më të sigurtë për të ardhmen. Kjo është dëshmuar në sektorët që janë udhëhequr nga gratë”, ka thënë Haziri, në ndejën e organizuar gjatë ditës me gratë e administratës, në shënim të 8 marsit, Ditës botërore të të drejtave të grave.

Pas këtij paralajmërimi të të parit të Komunës, duket se asnjëri prej dhjetë drejtorëve burra nuk e ka të sigurtë karrikën./MediaFokus/