Maqedonia regjistron viktimën e parë nga varianti britanik i coronavirusit

Dy raste të reja të variantit britanik të coronavirusit janë zbuluar në Maqedoni, ndërsa lajmi u njoftua në “Twitter” nga mjeku Goran Kungulovski nga Laboratori për Gjenetikë dhe Mjekësi të Personalizuar në Klinikën “Zhan Mitrev”.

Sipas “Deutsche Welle”, bëhet fjalë për persona të infektuar nga Shkupi dhe Ohri.

Një rast është nga 4 janari, kur një test pozitiv u konfirmua tek pacienti, i cili fatkeqësisht vdiq si pasojë e virusit, transmeton Alsat.

Rasti i dytë është nga 18 janari, ndërsa pacienti u lirua nga trajtimi tre ditë më parë.

Më parë, lloji i ri britanik u zbulua në një 46-vjeçar nga Shkupi i cili tashmë ishte shëruar.

Mjekët paralajmërojnë se për shkak se transmetohet kaq lehtësisht ndryshe nga mutacionet e tjera, ai me siguri do të bëhet dominues në vend pas disa muajsh, si në shumë vende të tjera të botës.