“Martohu sërish, por mos më harro” – letra prekëse e mësuesit disa orë para se të pushkatohej
Në tetor të vitit 1949, vetëm pak orë para se të ekzekutohej nga regjimi komunist në Shqipëri, Mark Shllaku i shkroi një letër gruas së tij, Angjes, shkruan Revista Ora.
Një letër e shkurtër, por e mbushur me dhimbje, dashuri dhe amanete, që edhe sot vazhdon të prekë këdo që e lexon.
Mark Shllaku ishte një mësues nga Shkodra, i cili kishte shërbyer edhe në zonën e Pukës.
Ai u arrestua dhe u pushkatua në vitin 1949, në moshën vetëm 31-vjeçare.
Në rreshtat e letrës, Marku shkruan se i kanë mbetur vetëm pak orë jetë.
Ai i kërkon Angjes të mos mërzitet, të rrisë fëmijën me ndershmëri dhe besim, madje i jep edhe “lejen” që një ditë të martohet sërish, por me një lutje të vetme: “Mos më harro.”
Ai kërkon falje për vuajtjet që mund t’i ketë shkaktuar, lutet që një ditë t’i mblidhen eshtrat dhe të varroset me emrin e tij, ndërsa letrën e mbyll me fjalët:
“Po vdes si një shqiptar i mirë dhe i ndershëm.”
Edhe pse për jetën e Mark Shllakut nuk ka shumë dokumente historike të publikuara, letra e tij e lamtumirës është ruajtur ndër vite dhe mbetet një nga dëshmitë më prekëse të periudhës së represionit komunist në Shqipëri.
Janë letra si kjo që tregojnë se, edhe përballë vdekjes, njeriu mendon fillimisht për familjen, fëmijët dhe njerëzit që lë pas.

