Masa të reja anti-Covid nga e premtja, neser bëhet publik vendimi

Kosova nga kjo e premte pritet të zbatojë masa të anti-COVID. Plani konkret do të bëhet publik nesër. Vendimi u mor nga Hoti pas takimit që pati me ministrat.

Si i tillë vendimi nesër pritet që t’u kumtohet qytetarëve në mesditë nga vetë kryeministri Hoti, raporton express.

E Qeveria ka filluar punën me planin e ri që nga dje (e hënë), kur Ministria e Shëndetësisë ka dërguar propozimet.

Komunat e Kosovës, sipas këtij propozimi të Ministrisë së Shëndetësisë, do të ndahen në tri zona të rrezikshmërisë: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e verdhë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër, e cila ka rrezikshmërinë më të ulët.

Propozimi i zyrtarëve të kësaj Ministrie ka ardhur pas rritjes së numrit të rasteve të prekura me këtë virus në baza ditore në Kosovë.

Vetëm të martën, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka regjistruar 596 të infektuar me 5 viktima me këtë virus.

Që nga fillimi i pandemisë në Kosovë numri total i rasteve pozitive është 25.388 raste nga 110.041 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 773 raste të vdekjes.