Masat e reja kufizuese, vijojnë pritjet dhe ankesat e qytetarëve në kufirin Kosovë-Shqipëri
Vendosja e masave të reja kufizuese për kalimin e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës ka sjellë radhë të gjata në doganë.
Udhëtarët që hyjnë në Kosovë kundërshtojnë testin e shpejtë e ata që dalin nga Kosova ankohen për pritje të gjata.
Komandanti i policisë kufitare jug-perëndim, Nexhmi Krasniqi, thotë për ABC News Albania se kolonat po krijohen pasi shumë qytetarë ende shkojnë për pushime dhe Shqipëria kërkon teste edhe për fëmijët.
Megjithatë, udhëtarët që hyjnë në territorin e Shqipërisë thonë se po presin gjatë në kolonë. Ndërkaq, shtetasit e Shqipërisë të cilët nuk janë të vaksinuar po i nënshtrohen një testi të shpejtë, gjë që ata po i shqetëson.
Sakaq, lidhur me gjendjen e krijuar, Policia kufitare e Kosovës ka shtuar për 50 % më shumë numrin e policëve, me qëllim që pritjet të minimizohen, ka bërë të ditur komandanti i i policisë kufitare në Jug-Perëndim, Nexhmi Krasniqi.
Vendosja e masave anti-covid në kufi nga Shqipëria dhe Kosova i ka bërë të pashmangshme pritjet dhe kolonat e gjata në të dyja anët e kufirit të përbashkët që po ngadalësojnë gjithashtu edhe lëvizjen mes dy vendeve.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë ka reaguar për kolonat e gjata që po krijohen në pikëkalimin kryesor kufitar të Kosovës me Shqipërinë. KMLDNJ ka thënë se Kosova dhe Shqipëria duhet të gjejnë zgjidhje për problemin e krijuar në kufi nga masat e vendosura për parandalimin e pandemisë.

