Kur ekspertët nxitojnë si në rastin e Deçanit

Rasti i Deçanit, tani që u konstatua prania e tri lloj bateriesh në ujë, tregon se sa të ngutshëm janë ekspertët tanë shëndetësorë. Ata, gati se e përjashtuan tërësisht mundësinë e helmimit nga uji të qindra qytetarëve atje.  

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani nuk e kishte përjashtuar helmimin me ujë të pijes, por kishte shprehur dyshime se kjo mund të ishte arsyeja e helmimit të një numri aq të madh të qytetarëve.

“Megjithatë kjo s’do të thotë që s’mund të ketë infeksione hidrike, por do të dalim me analiza permanente, nga analizat e pacientëve. Pistat e hetimit që flasin për dyshime të infeksionit hidrik janë në hetim e sipër. Kualiteti i ujit po monitorohet”, ka thënë Ramadani.

Ndërkaq, drejtori i Klinikës Emergjente, Basri Lenjani, në një prononcim për Ekonomia Online, kishte thënë se produktet e mishit mund të shkaktojnë probleme të tilla.

“…Nuk mund të jetë shkaktar uji, por mbetet që organet përgjegjëse ta hulumtojnë burimin e infeksionit. Se zakonisht gjatë stinëve të verës nuk mund të jetë vetëm sigurimi i ujit, por edhe produktet e mishit si sugjuku, sallamet e ndryshme që mund të jetojnë dhe shkaktojnë probleme të tilla”.

Doli që nuk ia kanë qëlluar.