Maturantët e gjimnazit të Gjilanit takohen pas 44 vitesh

Maturantët e gjeneratës 1977/1978 të gjimnazit ‘Zenel Hajdini’ të Gjilanit, klasa e profesor Haki Bunjakut, janë ri-takuar e mbase disa edhe janë ri-njohur sot pas 44 vitesh, shkruan Mediafokus.info.

Takimi ka qenë tepër emocionues edhe për faktin se një numër prej tyre nuk jetojnë më, kurse një numër tjetër ndodhen të shpërndarë në kurbet dhe nuk kanë mundur të jenë në takimin e gjeneratës.

Takimi u realizua me nismën e Ali Mehmetit dhe përkrahjen e grupit, si Fadil Murati, Muharrem Latifi dhe të tjerë, të cilët ia dolën t`i mbledhin në një tryezë 19 veta nga klasa IV/7: Qamil Aliun, Bukurije Kurteshin, Nexhmije Limanin, Hava Tahirin, Amir Dakun, Shefki Dakun, Ragip Qerimin, Melush Gudën, Nijazi Arifin, Fekret Aliun, Fadil Aliun, Shefqet Rexhepin, Fadil Latifin, Sabit Sadriun, Nexhat Xhelilin, Shefqet Shabanin, Rafet Rexhepin.

Edhe ata që munguan, si Elmi Hajdari, Avdi Latifi, Remzije Limani, Reshat Balaj dhe të tjerë, përcollën emocione përmes lidhjes online me grupin nga shtetet ku punojnë e jetojnë me familjet e tyre.

‘Pas dyzet e katër vitesh, sot më 23 korrik 2022, u takuam nëntëmbëdhjetë shoqe dhe shokë nga klasa e parë (viti 1974) e deri te klasa e katërt (viti 1978) në gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan.

Ndjenja e të pranishmëve s’mund të përshkruhet me fjalë. Keqardhje kishim për disa shokë dhe shoqe të cilët nuk janë në jetë! Po ashtu na erdhi keq për disa të tjerë të cilët munguan me arsye të ndryshme.

Dëshira jonë është që t`i takojmë të gjithë dhe shpresojmë se shokët dhe shoqet që i kemi në jetë, e që na munguan kësaj here, të na vijnë në takimin e pesë gushtit 2022, i cili do të organizohet enkas për ta, por me pjesëmarrjen e të gjithëve.

Shëndet dhe të mira në jetë për të gjithë shokët dhe shoqet e klasës, si dhe për familjet e tyre. Urojmë që tani e tutje të takohemi së paku njëherë në vit.

Ngushëllime të gjithë familjarëve të shokëve, të cilët kanë ndërruar jetë’, ka thënë Ali Mehmeti. /Mediafokus.info