Mbërrijnë në Kosovë dozat e para të vaksinave anti-COVID

Mbërrijnë në Kosovë dozat e para të vaksinës kundër koronavirusit. Bëhet fjalë për 24,000 doza të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca.

Kontingjenti i parë i vaksinave që mbërriti në aeroportin “Adem Jashari”, është në kuadër të 100.800 dozave të vaksinës së AstraZenecas që Kosova do të marrë falas nga programi Covax, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Deri më tani, Kosova është shteti i vetëm që nuk ka nisur ende fushatën e imunizimit kundër koronavirusit.

Autoritetet e Kosovës kanë miratuar një plan vaksinimi i cili është i ndarë në tri faza. Në fazën e parë, sipas këtij plani do të vaksinohen grupet me rrezik të lartë ku përfshihen punonjësit shëndetësorë, banorët dhe punonjësit e azileve, grupmoshat mbi 80 vjeç dhe një pjesë e popullsisë me sëmundje kronike.

Faza e dytë përfshihen grupmoshat nga 65-79 vjeç, popullsia me sëmundje kronike, mësuesit dhe forcat e sigurisë që janë të përfshira në menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Ndërkaq, për fazën e tretë parashikohet të bëhet vaksinimi i 50% të popullsisë në mënyrë që të arrijë 900 mijë persona ose 70 për qind të mbulimit të përgjithshëm të popullsisë me vaksinën COVID-19.