Mbërrijnë në Shqipëri 121 afganët e parë
Ka mbërritur në aeroportin e Rinasit avioni i parë me 121 qytetarë afganë, mes tyre 11 foshnja.
Avioni u ul pak pas orës 4 të mëngjesit të se premtes, ku tokën shqiptare e prekën refugjatët afganë, të cilët braktisën vendin e tyre për shkak të regjimit të talebanëve.
Qytetarët janë pritur nga Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, drejtues të FA dhe policisë së shtetit.
121 qytetarët afganë u pritën në qendrën e pritjes së përkohshme, ngritur në zonën ushtarake. Qendra e pritjes së përkohshme është inspektuar nga Ministrja Xhaçka e cila ka vlerësuar kontributin e efektivë të FA, policisë së shtetit, policisë kufitare dhe mjekëve e infermierëve.
Më pas ata do të nisen drejt strukturave hoteliere në Durrës.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria do të strehojë përkohësisht rreth 4 mijë refugjatë, ndërsa është shprehur se kush dëshiron mund të qëndrojë përgjithmonë në Shqipëri.

