Mbi 100 persona të vdekur këtë vit nëpër aksidente rrugore

105 persona kanë humbur jetën në 90 aksidente të ndryshme që ndodhën në Kosovë përgjatë periudhës janar-nëntor të këtij viti, ndërsa nga 1 dhjetori deri më sot, kanë ndërruar jetë edhe 4 të tjerë si pasojë e aksidenteve fatale. Krejt kjo, sipas policisë vjen për shkak të pakujdesisë dhe tejkalimit të shpejtësisë.

Këtë e ka konfirmuar Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, në një prononcim për Gazetën Metro, ku ndër të tjera ka thënë se është e nevojshme që të ketë angazhim edhe më të madh, sa i përket kësaj çështje.

“Përderisa gjatë kësaj periudhe të vitit në vendin tonë kanë humbur jetën mbi 100 persona si pasojë e pakujdesisë në drejtimin e automjeteve apo në çfardo forme tjetër të pjesmarrjes në trafik, Policia e Kosovës vlerëson se është e nevojshme që të kemi një angazhim edhe me të madh ndërinstitucional dhe masa proaktive dhe aktive duhet ndermirren në vazhdimësi për të krijuar rrethana më të favorshme që numri i aksidenteve, në veqanti i atyre me fatalitet të reduktohet edhe më tej”, ka thënë Hoxha.