Mbi 50 mijë kosovarë ia mësynë bregdetit shqiptar

Edhe gushti ka nisur me një fluks të lartë në pikën kufitare të Morinit ndërkohë që në korrik mesatarja ditore e kalimeve në kufi drejt Shqipërisë dhe anasjelltas i kaloi mbi 10 mijë. Por gushti pritet të sjellë një mesatare ditore më të madhe për shkak se lëvizjet e shqiptarëve të Kosovës do të jenë më të mëdha. Por ky fenomen shihet si shqetësim nga autoritetet shëndetësore të Kosovës.

Fadil Kryeziu, drejtor rajonal i Shëndetit Publik në Prizren thotë se qytetarët e Kosovës që po lëvizin gjatë kësaj periudhe në dy anët e kufirit shihen si bartës kryesor të COVID-19, si për Kosovën dhe Shqipërinë dhe ekipet mjekësore në kufi e kanë të pamundur të kontrollojnë të gjithë udhëtarët, ndaj duhet të shihet një mundësi e re për të kontrolluar situatën e cila po rrit me shpejtësi numrin e të infektuarve.

“Edhe kur testohen nuk na informojmë. Më shqetësues është numri i madh që shkojnë tutje, edhe e bartin edhe e sjellin në anën e kundërt infeksionin. Ne kemi ekip mjekësor që monitorojnë 24 orë, sidomos rastet që vijnë, por është e pamundur teknikisht që të depistohen rastet kur brenda një periudhe të shkurtër kalojnë 6 mijë persona. Për këtë arsye do të ishte më mirë të merren masa të tjera shtrënguese, pse jo edhe te heqja e ekipeve mjekësore por të ndiqen rastet, prej rastit në rast, që të kontrollojmë rastet e infeksionit” tha Fadil Kryeziu.

Korriku sapo u mbyll, për Kosovën shënoi numrin me të lartë të të prekurve dhe viktimave nga koronavirusi. Po ashtu edhe në Shqipëri. E pavarësisht kësaj situate qytetarët e Kosovës nuk e kanë frenuar lëvizjen për pushime drejt Shqipërisë. Edhe fundjava e parë e muajit gusht ka shënuar një fluks të jashtëzakonshëm të hyrjeve në Shqipëri të qytetarëve Kosovarë me destinacion bregdetin shqiptar. Mësohet se këtë fundjavë (e shtunë e diel) kanë hyrë rreth 50 mijë pushues kosovarë.