Mbi 6 mijë kompani në Zvicër drejtohen nga shqiptarët

Një artikull i medias zvicerane Blick vë në pah transformimin e jashtëzakonshëm të komunitetit shqiptar në Zvicër, duke e cilësuar atë si një nga shtyllat më të rëndësishme të ekonomisë së vendit, përcjellë revista Ora.

Sipas artikullit, në Zvicrën gjermanishtfolëse mbi 6 mijë kompani drejtohen nga sipërmarrës me origjinë shqiptare.

Nga brezi i parë i emigrantëve, të cilët punonin kryesisht në ndërtim dhe profesione fizike, komuniteti shqiptar ka kaluar në një fazë të re, ku shumë prej pasardhësve të tyre janë bërë themelues kompanish, drejtues biznesesh dhe profesionistë të suksesshëm.

Në qendër të artikullit është edhe historia e Liridona Makicës, e cila u shpall fituese e çmimit Swissalbs Entrepreneur Award 2024.

Ajo rrëfen se në fillim kishte vështirësi për të gjetur një vend praktike apo pune, por me këmbëngulje arriti të ndërtojë kompaninë e saj në fushën e kujdesit shëndetësor, e cila sot numëron mbi 55 punonjës.

Përfaqësues të komunitetit shqiptar në Zvicër theksojnë se sot shqiptarët janë një pjesë e rëndësishme e ekonomisë zvicerane dhe kontribuojnë çdo ditë në zhvillimin e vendit, duke ruajtur njëkohësisht identitetin dhe rrënjët e tyre.