Mbikalimi në Prishtinë: rrezik dhe turp urban pranë shkollës së Mjekësisë Dr. Ali Sokoli
Prishtinë – Një nga pikat më të frekuentuara për këmbësorë, mbikalimi pranë rrethit të shkollës së mjekësisë “Dr. Ali Sokoli”, po përballet me një gjendje të rënduar higjieno-sanitare dhe mungesë të theksuar mirëmbajtjeje.
Pamjet nga terreni tregojnë një realitet shqetësues: mbeturina të shpërndara gjithandej, shishe plastike, ambalazhe ushqimore dhe mbetje të tjera që jo vetëm prishin estetikën urbane, por paraqesin edhe rrezik për shëndetin publik.
Në disa pjesë të mbi kalimit vërehen edhe gjurmë djegieje, ndërsa në një cep janë vendosur materiale improvizuese për fjetje, duke lënë të kuptohet se hapësira përdoret edhe për qëndrime të përkohshme.
Struktura metalike dhe xhamat e mbi kalimit janë të mbuluara me grafite dhe papastërti, ndërsa dyshemeja prej druri duket e konsumuar dhe e lagësht, duke rritur rrezikun për rrëshqitje, sidomos në ditë me shi.
Ky mbi kalim përdoret çdo ditë nga nxënës, studentë dhe qytetarë të shumtë, përfshirë edhe stafin shëndetësor në zonë.
Ironikisht, një hapësirë pranë një institucioni arsimor të mjekësisë, që duhet të reflektojë kujdes për shëndetin dhe higjienën, ndodhet në një gjendje që bie ndesh me këto vlera.
Banorët dhe kalimtarët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse, përfshirë pastrimin, mirëmbajtjen dhe rritjen e sigurisë në këtë hapësirë publike.
Mungesa e reagimit rrezikon ta kthejë këtë mbi kalim jo vetëm në një pikë të ndotur urbane, por edhe në një zonë potencialisht të pasigurt për qytetarët. /Sabedin Sherifi



