Mbrojtja kërkon lirimin e përkohshëm të Thaçit, kundërshton krahasimin e tij me Karaxhiqin

20 faqe argumente me gjithësej 55 pika ka dërguar në Gjykatë avokati i ish-presidentit Thaçi, David Hooper. Këto argumente të tij paraqesin parashtresat kundërshtuese ndaj Zyrës së Prokurorit të Specializuar i cili ka kërkuar që për arsyet të cilat ai i konsideron të mjaftueshme, Hashim Thaçit t’i vazhdohet paraburgimi.

Hooper në parashtresat e tij, ashtu si avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson i është përgjigjur një nga një kundërshtimeve të Prokurorisë së Specializuar për lirimin e ish-presidentit, Hashim Thaçi, shkruan lajmi.net.

Në parashtresat paraprake, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte përmendur emërimin si konsull në Pragë të djalit të Haxhi Shalës, Flakronit. Prokuroria pretendonte se Thaçi kishte pasur ndikim në këtë emërim, duke pretenduar se kjo paraqet provë se në rast lirimi, ish-presidenti mund të ushtrojë ndikimin e tij për ndërhyrje në procedurë.

Këtë argument e ka kundërshtuar totalisht avokati i tij David Hooper. Ky i fundit ka thënë se emërimi i djalit të Haxhi Shalës s’ka të bëj asgjë me rastin, dhe caktimi i tij në këtë pozitë është bërë nga ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës e cila vije nga e njëjta parti me Haxhi Shalën.

“As z. Thaçi nuk kishte ndonjë lidhje me emërimin e Haxhi Shalës. Siç mund të jetë në dijeni Prokuroria, emërimi nuk ka asnjë lidhje me këtë çështje. Emërimi i djalit të tij në pozicionin e Konsullit të Përgjithshëm u bë nga ‘Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës’ i Kosovës që vjen nga e njëjta parti me Z. Shala, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ‘, e cila ishte pjesë e Qeverisë që Z. Shala ndihmoi në zgjedhjen e saj. Kjo është një çështje e politikës së brendshme, e cila është e parëndësishme për rastin. SPO harron të përmend se nominimi ishte bërë nga Kryeministri në interes të tij. Z. Thaçi nuk kishte asnjë lidhje me këtë emërim dhe përmbushi vetëm një rol zyrtar, të paraparë në proces”, ka thënë Hooper.

Avokati Hooper i është përgjigjur edhe pretendimeve të tjera të Prokurorisë për letrat e shkëmbyera me ish-sekretarin e shtetit amerikan, Mike Pompeo sipas të cilave ky i fundit e kritikonte ish-presidentin Thaçi për tendencat e tij për minimin e punës së Speciales.

Hooper thekson se ky fakt i pretenduar nuk qëndron dhe se menjëherë pas shkëmbimit të letrave, kishte pasuar një takim Pompeo-Thaçi, i cili sipas Hooper ishte dëshmi se SHBA-të e shohin Thaçin si një partner të rëndësishëm për efektivitetin e Speciales.

Madje në paragrafin e 29-të, Hooper thekson se pa mbështetjen e Thaçit, Specialja as që do të ekzistonte.

“Duhet të përsëritet se zoti Thaçi e përkrahu Gjykatën Speciale – dhe ajo nuk do të ekzistonte pa të. Me kalimin e viteve mbështetja e tij mund të ketë ndryshuar, pasi që gjykata nuk bëri asgjë për disa vjet dhe u kritikua nga disa akterë, gjë që e bëri z.Thaçi të vinte në pikëpyetje nevojën ose interesin e një institucioni të tillë – kjo është ndryshe nga pengimi i drejtësisë”, ka thënë Hooper.

Avokati Hooper i është përgjigjur Prokurorisë së Specializuar edhe në argumentin që Thaçi s’ka pasur zgjidhje tjetër pos të dorëzohet.

Ai ka vënë në pah se Thaçi ka pasur edhe zgjidhje të tjera, mirëpo në respekt të institucionit, ai është dorëzuar.

“Presidenti Thaçi u soll me përgjegjësi dhe me respektin e duhur për autoritetin e KSC. Ai kishte zgjedhje. Ai zgjodhi të dorëzohej dhe të mos mbështetej në Kushtetutë për imunitetit e tij për kundërshtimin e arrestimit.. Ai do të ishte përgjigjur në mënyrë të ngjashme një thirrje dhe ishte përgatitur për ta bërë këtë. SPO e mashtroi gjykatën për sa i përket z. Thaçi duke paraqitur një rrezik fluturimi. Gjykatësi ishte i saktë në prirjen e tij fillestare për të pyetur nëse procedimi përmes thirrjes dhe jo arrestimit ishte rruga më e mire”, ka thënë Hooper në parashtresat e tij.

Argumentet e Hooperit, për dallim nga ato të Emmersonit nuk përmbajnë anekse të veçanta. Po ashtu, shumica e paragrafëve janë të redaktuar për shkak se përmbajnë informacione konfidenciale.

Hooper ka thënë se është fatkeqësi që në parashtresat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar po bëhet krahasime me figura të njohura ndërkombëtare që kanë përdorur resurcet për t’i ikur drejtësisë, në mesin e tyre edhe ish-presidenti i Repulika Srpskas, Radovan Karaxhiq.

“Është fatkeqësi që në parashtresën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar po bëhet krahasime me figurat e njohura ndërkombëtare që kanë përdorur resurce për t’i ikur drejtësisë. Ndryshe nga presidentët Habre, Karaxhiq e Taylor, që me të mësuar se ka aktakuzë të konfirmuar ndaj tyre ata kishin ikur, z. Thaçi me të mësuar këtë ka dhënë dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës dhe është lidhur me avokatët e tij dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar për t’u dorëzuar, dhe është dorëzuar”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e Hooperit.

Përmes kësaj kërkese, avokati Hooper ka kërkuar që Thaçi të lirohet nga paraburgimi, teksa vendimi për të pritet të merret në një të ardhme të afërt.