“Me burrin kemi shkue shum mirë, e kemi marrë vesh njani-tjetrin hiç pa folë”
Çfarë dhurate më të madhe mund të kemi sesa të arrijmë një shekull jetë? Cili mund të jetë urimi më i mirë, cila mund të jetë trashëgimia më e mirë se t’u tregosh njerëzve atë që ke përjetuar nëpër katër e më shumë gjenerata…
Fatime Demaj (20.05.1914) nga fshati Sfircë, e cila jeton në Koretin, ngjitas Kamenicës, është njëra nga këto personazhe.
Nëse do të kishim marrë një shembull për përkujdesin ndaj të moshuarve, do të duhej të merrnim familjen e vëllezërve Demaj, Fadilit dhe Agimit, por edhe të motrës së tyre, Havës, për përkujdesin ndaj lokes Fatime.
Unë do të përqendrohem tek rrëfimi për jetën e saj, i regjistruar më 8 korrik 2018.
“Lokes, përpara ka pasë fukarallëk, punë shume, fmini e shtirë. Unë me dhetë vjet ja kam nisë me gatu se e kam pas nanën qorre, s’ka pa …
Hee more bir, nuk mujsha as magjen m’e mrri, m’u dashke me hyp n’shkam e me gatue, shum shtirë, lokes, û kanë. Jo veç magjja, po edhe gjaja (bagëtia), puna në ara… u dashke kejt, lokes, m’i mrri.
Um kujtohet lokes niherë kur um ka pasë njekë ni bollë (gjarpër), nuk mujsha kurqysh me ikë se ajo um njeke.
Përniheri m’u kujtun fjaltë e nanës teme që m’ka pasë thanë; “Bijo tash po rritesh edhe po shkon me gjo (kafshë), shka s’munet me t’ba vaki, po maje men mirë, me t’njekë naj gjarpen a bollë, kurrë mos ik teposhtë, po gjithmonë ik kodres përpjetë, se nuk munet me t’zanë”…
Edhe qashtu ja bana. M’kish pasë ra të fiktë edhe m’kish pas gjetë vllavi jem; gjashtë mujë lokes, nuk jam çue pi shtratit masanjej”.
Familjarët e saj, po edhe bashkëfshatarët, tregojnë për nënloken Fatime: “S’ka pasë me bahqe t’saj në tanë Koretinin, me paqllak të saj mos t’rrehet kush, bile edhe sot asht e njëjta, kurrë nuk prek dishka pa i la durtë”.
Në interesimin tim se si e ka kaluar jetën me burrin e saj, ajo thotë: “Me burrin kemi shkue shum mirë, kemi pasë razillak mes veti, e kemi marrë vesh njani-tjetrin hiç pa folë, veç me të kshyrme”.
Për luftërat e kaluara, ajo pohon: “Lokes, krejt luftat janë të kqija, po kjo e fundit û kanë ma e keqja.
Edhe në kohën e komunistit û kanë shtirë, ikshum natën e kishum shum tutë, ama kjo e fundit u kanë ma e keqja… mos me zgedhë as burra, as gra, as pleq, as fmi … lokes, veç shkiet e bojnë k’tohen”.
Kohët nëpër jetën e saj kanë lënë gjurmë të ndryshme: “Ka shum dallim mes kohnave; përpara s’kemi pasë tesha me veshë, tash p’i kshyri kta t’ritë e t’rejat, kurrë s’i veshin dy herë ni parë tesha.
Ktyniherë, s’kemi dalë vetë n’rrugë, jemi kanë t’mlume, sot a p’i shef trejat, hecin vet e s’e kanë gajle bile”.
Fshehtësinë e jetëgjatësisë së saj ajo e ndërlidh kryekëput me ushqimin.
“Na përpara krejt i kemi ba vetë, me bukë, me bylmet, me krejt. Buka e kallamojtë u kanë po get shum ma e shnetshme. Sod, lokes krejt me t’bleme, nuk dihet as kah vinë, as pi kahit vinë, nashta bash edhe për qeta kam jetue qëkaq… E, tash mas luftë jeta asht ma e mirë, qysh mos me jetue e mos me u knaq”! /Muhamed Sadriu – ‘Bukuria e Rrudhave’/
…………………………………………………………
Note: Mediafokus.info mban ekskluzivitetin e publikimit të artikujve nga libri ‘Bukuria e Rrudhave’. Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe përdorimi i tekstit apo copëzave të tij.


