Me buzëqeshjen e varur në majë të mustaqes, Basriu iku i përmbushur në objektivat e tij

Nijazi Idrizi

Këtu e një vit më parë, krejt papritur, iku në amshim Basri musteqja, njeriu i veçantë i qytetit të Gjilanit.

Ishte bashkëshort, baba dhe gjysh perfekt, shembull i emancipimit të familjes.

Do të mbahet mend si intelektual dhe aktivist i besueshëm për të cilin portat e qytetit bashkë me zemrat e njerëzve ishin të hapura.

Basa fjalëpakë, dhuronte ngrohtësi dhe buzëqeshje të cilën e shumëfishonin mustaqet e shkurtra pa të cilat ajo fytyrë nuk shkonte.

Kjo më kishte nxitur që daden Ajshe krejt padashur e kisha lënë gojëhapur kur e kisha pyetur: “A e ke lind Basriun me musteqe a pa to”?

Nga demonstratat e vitit 1981 e deri në fund të jetës së tij, nuk ka ngjarje as aktivitet, ku të ketë munguar kontributi i Bases.

Ai për më shumë e ngarkonte veten me përgjegjësi, i organizonte njerëzit dhe merrte pjesë në të gjitha aktivitet në lagjen e madhe me 10 mijë banorë (vetem me shqiptarë) e cila ishte e organizuar tjeterqysh, me struktura emergjente dhe ishte bërë halë në sy nga pushteti serb.

Basriu i kishte në fokus 24 orë njerëzit në nevojë, pa dallim. Nuk ka pas mundësi që në këtë lagje dikujt ti mungojë ushqimi, tekstet shkollore, ngrohja, produktet e higjienës apo ilaqet dhe kujdesi shëndetësor.

Qytetarët e organizuar e kishin marrë fatin e vet në duart e tyre. Kudo kishin pushuar hajnit dhe shkolla shqipe ishte bërë e paprekshme për huliganët e nxitur nga milicia serbe.

Nuk ka mundur të ketë ngatërresa e grindje të njerëzve, ku nuk do të futej fjala pajtuese e Basriut dhe shokëve të tij.

Nuk ka mundur të ndodhë asgjë e të mos ketë qenë i informuar dhe të mos jenë marr masat në çast nga strukturat përgjegjëse.

Basa, ka organizuar dhe ka marrë pjesë në të gjitha demonstratat e shumta që fillonin në lagjen e tij dhe zbarkonin në qendër të të qytetit dhe tutje në kryeqytet.

Buzeqeshja e tij ishte inkurajim për të rinjtë e shumtë të cilët i mbushte me besim për luftën që duhet ta benim si rruga e vetme e cila do ta sillte lirinë.

Ky përkushtim në kohën e luftes ishte shkrirë në radhët e UÇK-së, përmes luftëtarëve të saj deri në çlirimin e vendit.

Pas çlirimit me të njëjtin përkushtim, punoi për konsolidimin dhe demokratizimin e shtetit dhe të shoqërisë kosovare, kudo ku e ngarkuan me përgjegjësi dhe ia dhanë besimin.

Ishte i pa korruptuar, sepse e dinte se nga kjo botë do të largohet ashtu siç kishte ardhur.

Nuk la pas asnjë grindje, asnjë fjalë të keqe, por si burrë i traditës, me buzëqeshjen e varur në majë të mustaqes, iku i përmbushur me objektivat e arritura.

Qytetarët e Gjilanit e vlerësuan dhe me nderime e morën dhembjen që ishte e tyre, duke ua lënë familjes mërzinë e cila i ka rrënjët në kujtimet e tyre.

Basriu e la gruan e tij Mevliden, krenare për jetën e lumtur që e kishte kaluar me të.

Basriu la pas tre djem të zot: Dardanin, Labinotin dhe Artanin dhe pinjollët e brezit të dytë të cilët kanë filluar ti hapin dyert e jetës.

Basriu la pas emrin e tij vlerat që krijoi, si udhërrëfyes për familjen e tij dhe për ne.