Me çfarë çmime po shiten nafta e benzina në Kosovë?

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut pranë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka bërë të ditur se çmimi mesatar i importit për derivatet e naftës gjatë ditës së mërkurë ka qenë 1.40 euro për liter të naftës, ndërsa për benzinën 1.22 euro për litër.

Sç bëhet e ditur në një njoftim të MINT-it,  çmimet e ekspozuara për konsumatorët në pikat e shitjes me pakicë për naftën variojnë nga 1.44 deri në 1.54 euro për litër. Ndërkohë, benzina në treg shitet nga 1.18 euro deri në 1.31 euro për litër.

Më tej, kjo ministri përmend edhe vendimin e 4 marsit për rregullimin e përkohshëm të çmimit të derivateve në vend.

“Bazuar në vendimin e datës 04.03.2026 për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimit të masave të tjera mbrojtëse është vendosur marzha tregtare maksimale e lejuar si vijon:  dy (2) eurocentë për litër të produktit të shitur me shumicë, dhe dymbëdhjetë (12) eurocentë për litër të produktit të shitur me pakicë.Marzhë tregtare domethënë ndryshimi mes çmimit të shitjes dhe çmimit të furnizimit”.