Me këtë ujë stërpikeshin fëmijët ditën e Shëngjergjit në malësinë e Zhegocit
Shëngjergji është një kremtë e lashtë pagane iliro-dardane, e cila shënohet si ditë e ardhjes së verës dhe ikjes së stinës së dimrit.
Shëngjergji shënohet në mënyra të ndryshme, varësisht nga krahinat e rrethinat.
Në malet e fshatit Zhegoc, gjendet një burim i rrallë uji ku dikur njerëzit shkonin aty për të marrë ujë për shëndet të mirë, sidomos ditën e Shëngjergjit.
Kur vajzave u vonohej kësmeti, ato shkonin te ky burim uji, lidhin një pe të kuq, ose ngjyrë tjetër, në drurët përreth dhe ktheheshin të lumtura në shtëpi, në pritje që fati t`u ndryshojë për së miri, shkruan Mediafokus.info
Amviset shkonin kur lopët nuk jepnin qumësht mjaftueshëm, ndërsa bujqit shkonin për t`u lutur për mbarësi në të mbjella.
Nanat i lanin ose i stërpiknin fëmijët e tyre me këtë ujë, ditën e Shëngjergjit, me pëshpëritjet që ata të rriteshin të shëndetshëm e të fortë.
Zona e Zhegocit është një tokë plot me mrekulli natyrore.
Sipas legjendave, dikur kjo anë ishte aq dendur e banuar sa që macja ka mundur t`i bëjë tri kilometra rrugë, duke kaluar nga çatia në çati, pa zbritur fare në tokë.
Këtu janë gjetur themele të një qytetërimi të lashtë, që besohet të jenë të periudhës romake.
Gjithsesi bumulloci është një margaritar në malet e Zhegocit, që bashkojnë territorin e dy komunave fqinje, Gjilanit e Lipjanit.
Njerëzit janë kureshtarë për të parë këtë vlerë natyrore, që rri e fshehur mes pyjesh me drurë të lartë dhe shekullor, që mbase ruajnë shumë fshehtësi të atyre hallexhinjve që kanë ardhur te ky vend për të ndryshuar fatin e keq dhe për të shpresuar për ditë më të mira.
Në këtë krua, që është diçka më shumë se një burim nëntokësor, ujët del nga toka duke gurgulluar dhe kthehet përsëri mbrapsht, pa e rritur dhe as pa e ulur nivelin e kroit.
Banorët e kësaj ane thonë se ujët e këtij kroi është përdorur nga qytetarë të shumtë për kurimin e syve, reumës, hemorroideve dhe sëmundjeve të tjera.
Ajo që të bënë përshtypje, është besimi i banorëve të kësaj ane në magjinë shëruese që ndodhet në këtë krua, përkatësisht në këtë burim uji.
Legjendat thonë se një plak e kishte hedhur shkopin e tij në bubulloc dhe pas disa ditësh e kishte gjetur te një burim uji në Gjilan, që kanë një distancë mes vete rreth 10 kilometra.
Për kroin që as nuk rrjedhë e as nuk shterrë, ka edhe legjenda tjera në këtë zonë, që banorët vazhdojnë t`i rrëfejnë edhe në ditët e sotme, ashtu siç i kanë trashëguar brez pas brezi.
Por, pavarësisht legjendave, bumulloci është një vend real, ku njerëzit e kësaj ane shkojnë edhe sot për nevoja të ndryshme.
Sidomos ditën e Shëngjergjit, më 6 maj. /Mediafokus.info/

