Më shumë dokumente kërkon komuna e Gjilanit për 100 euro shpërblim për lehonat se sa kërkohen për marrjen e shtetësisë së Kosovës

Komuna e Gjilanit ka miratuar një vendim në prill të këtij viti për të mbështetur lehonat për çdo fëmijë të lindur gjatë këtij viti.

Sipas këtij vendimi, lindja e parë shpërblehet me 100 euro, lindja e dytë – 200 euro, lindja e tretë – 300 euro, lindja e katërt – 400 euro dhe lindja e pestë – 500 euro.

Aplikimi mund të bëhet përgjatë gjithë vitit, deri në muajin dhjetor 2024.

Por, aplikimi për të marrë këtë shpërblim prej 100 euro është një procedurë mjaft e komplikuar, ku kërkohen dokumente më shumë se sa për shtetësi të Kosovës, për pasaportë, për letërnjoftim, apo edhe për shtesa të rregullta, që i jep qeveria.

Është e pakuptueshme pse duhet të ofrojë kaq shumë dokumente një grua lehonë, kur të gjitha këto merren në Komunë, përkatësisht në Drejtorinë ku dorëzohet aplikacioni.

Të gjitha të dhënat, Komuna mund t`i verifikojë në sistemin online të gjendjes civile, pa pasur nevojë që pala t`i nxjerrë dhe t`i ofrojë ato në kopje fizike.

Nxjerrja e gjithë atyre dokumenteve ka edhe kosto financiare.

E, çfarë kuptimi ka atëherë dhënia e shpërblimit prej 100 euro, pasi ta kesh lodhur mirë palën nëpër sportelet e administratës.

Do të ishte i mjaftueshëm ekstrakti i lindjes së fëmijës dhe kontoja bankare e nënës.

Të gjithë të tjerat janë të panevojshme.