Medalje ari, Amanda 14 vjeçare mposht serben në finale
Ekipi shqiptar i të rinjve në karate ka marrë pjesë në Ligën botërore të karatesë për të rinj, në Kroaci, nga data 26 deri 29 qershor.
4 sportistë kishte në përbërje të tij ekipi kombëtar i moshave 10 deri 21 vjeç, tre nga ekipi i Tiranës dhe një nga ekipi Bijtë e Shqipes Lushnje.
Në këtë Botëror merrnin pjesë 4000 sportistë nga 78 vende të botës.
Karateistja 14 vjeçare e ekipit ‘Bijtë e Shqipes – Lushnje’, Amanda Dedej është kthyer me medalje ari nga ky botëror.
Në peshën nën 52 kilogram, karateistja u ndesh me gjashtë kundërshtare ku në finale mposhti serben Neda Mariçeviç, duke fituar 4- 0.
Trajneri i ekipit kombëtar të karatesë, Lirim Dedej, ndër të tjera u shpreh se ekipi kombëtar i Shqipërisë pas shumë arritjeve të tjera në ballkaniada e evropianë, së fundmi ka sjellë në shtëpi medaljen e arit nga botërori i Kroacisë.
Fituesja e medaljes së artë në këtë ligë, Amanda Dedej, është 14 vjeçe dhe ka arritur gjithçka dhe tani synimi i saj është medalja e artë olimpike.

