Mehmet Pozharani, atdhetari që nuk i duronte padrejtësitë

Veterani i arsimit, Mehmet Kurteshi, nuk jeton prej 13 vitesh. Pos si pishtar i arsimit, mësues e arsimdashës, bujar e atdhetar, ai mbahet mend si burrë i zëshëm kundër padrejtësive të kohës.

I biri i tij, Abdyli e ka rikujtuar sot me këto fjalë: “Koha që kaloi kurrë nuk do ta shuajë dhimbjen, kujtimin, dashurinë dhe respektin tënd për Atdheun, nxënësit dhe familjen”. 

Mehmet Kurteshi (ose Mehmet Pozharani, siç njihej ndryshe) u lind në Gjilan, më 1928.

Shkollimin fillor e kreu nisi në gjuhën serbokroate, por nuk e përfundoi.

Në gjysmëvjetorin e dytë të vitit 1945, si 17-vjeçar, pasi lirohet nga Brigada III kosovare, në bazë të dy dëshmitarëve, ai regjistrohet në Gjimnazin e Prishtinës, ku drejtor ishte Idriz Ajeti, kurse zëvendës i tij, Gjon Sereçi.

Baca Mehmet pati një rrugëtim të vështirë jetësor. E përcillnin hap pas hapi.

Punoi mësues në fshatin Desivojcë të Kamenicës, gjer në vitin shkollor 1951-52.

Në vitin vijues, transferohet në Progjimnazin e Hogoshtit.

Pa shkëputje nga puna, ai kreu Normalen e Gjakovës, më 1954-55.

Si i diplomuar, emërohet arsimtar i Gjimnazit të Ulët në Gjilan, ku asokohe drejtor ishte Nevruz Nura.

Në vitin 1961, Mehmeti kreu me sukses edhe shkollën e Lartë për përgatitjen e kuadrove administrative-financiare në Beograd dhe mori titullin e arsimtarit profesional të byro-teknikës, stenografisë dhe korrespondencës.

Si profil i rrallë dhe shumë i kërkuar në atë kohë, menjëherë emërohet arsimtar i shkollës së Mesme Ekonomike në Gjilan.

Por, baca Mehmet ishte i zëshëm dhe kurrë nuk u pajtua me padrejtësitë e sistemit të kohës.

Më 1987 diferencohet dhe përjashtohet nga procesi mësimor, me arsyetim se “ai që nuk është në gjendje as të birin e vet ta edukojë në frymën e patriotizmit socialist jugosllav, ai nuk mund t’i edukojë as fëmijët e tjerë”.

Vdiq në vitin 2012, në moshën 84-vjeçare në Gjilan. /Mediafokus.info