Mejtepi që shërbeu një shekull si shkollë    

Mejtepet kanë shërbyer për shqiptarët si shkolla për mësim e shkrim-lexim. Një i tillë gjendet ende në fshatin Zarbincë, i cili pas 115 vitesh ekzistencë, rrezikon të zhduket tërësisht, shkruan Mediafokus.info

Ky objekt shërbeu pas luftës së Dytë Botërore si vatër arsimore për banorët e Malësisë së Bujanocit, deri në vitin 1981, kur u ndërtua godina e re shkollore.

Largimi i banorëve nga këto fshatra, shkaku i dhunës dhe presionit serb, e la në mëshirën e kohës edhe këtë objekt me vlera të veçanta kulturore dhe historike.

Koha po e bënë punë e vet në shkatërrimin e mejtepit dhe për një kohë të shkurtër, ai do të jetë vetëm një gërmadhë.

Banorët e Zarbincës, kudo që jetojnë tani, janë të tmerruar që një objekt si ky do të përfundojë në gurë e dhe.

Mejtepi i Zarbicës ka shumë domethënie për Malësinë e Bujanocit. Dikush e barazon atë për nga rëndësia me shtëpinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe me shtëpinë e Alfabetit shqip në Manastir.

Sipas Refik Hasanit, veprimtar me origjinë nga kjo anë, Zarbinca dhe Malësia e Bujanocit nuk kanë objekt tjetër me vlera më të mëdha se ky mejtep.

Në këtë ndërtesë u mbajtën takime të rëndësishme edhe para dhe gjatë Luftës së Parë Botërore dhe Luftës së Dytë Botërore.

Në mejtepin e Zarbicës u mbajtën takime, konsulta, debate dhe u morën vendime shumë të rëndësishme për këtë pjesë të territorit shqiptar.

Në mejtep u fol dhe u vendos për qëndrimin në trojet e të parëve dhe shpërnguljen në shkretëtirat e Anadollit, për rezistencën luftarake kundër armikut, për heqjen e ferexhesë.

Këtu, nën dritën e vajgurit u mësuan shkronjat shqipe dhe u zhvillua lufta kundër analfabetizmit. Në këtë objekt u vendos dikur edhe administrata popullore për një kohë.

Mbi të gjitha ai shërbeu si shkollë deri në vitin 1981 dhe kjo është rëndësia më e madhe.

Zarbica, Malësia e saj, Komuna e Bujanocit dhe shqiptarët në përgjithësi nuk guxojnë ta lënë të shkatërrohet tërësisht një vlerë si kjo.

Ai është i vetmi objekt që ka mundur deri tani t`iu përballojë stuhive të të gjitha kohërave, në këtë pjese të trungut shqiptar.

Mejtepi është identitet arsimor, kulturor, historik e kombëtar për shqiptarët e Malësisë së Bujanocit./mediafokus.info