Menaxhimi i rreziqeve natyrore duhet të mësohet në shkolla
Mirishahe Limani Hiler
Pasojat e ngrohjes globale tashmë kemi filluar t’i shohim gjithandej në botë. Rreziqet nga fatkeqësitë natyrore, pos që kërkojnë investimin e faktorit njeri për t`u evituar, ato tashmë i kemi në prag dhe duhet të mësohemi se si t’i evitojmë më së miri që është e mundur.
Në Zvicër, pos që Berni zyrtar planifikon të prezantojë alarme për motin në celularët e të gjithë popullsisë, ekspertët po u kërkojnë fëmijëve dhe popullatës të jenë të përgatitur për rreziqet natyrore.
Në fatkeqësi, pos që luan jeta dhe vdekja, mbi të gjitha këto luhen në sjelljen e njerëzve në raste të ndodhjes së tyre në atë fatkeqësi. Prandaj, menaxhimi i rreziqeve natyrore duhet të mësohet më shumë në shkolla, sepse është thelbësore të përgatitet popullata, sipas Bruno Spicher, president i platformës kombëtare për rreziqet natyrore ‘Planat’.
Robert Boes, profesor i inxhinierisë hidraulike në ETH Zurich bashkohet me Spicher në kërkesat arsimore dhe ofertat e ndërgjegjësimit për rreziqet e përshtatshme për popullatën, si ato që ofrohen në Japoni, ku çdo nxënës i shkollës e di, për shembull, që duhet të zvarritet nën bankën e tij në rast të një tërmeti.
Zyra Federale për Mjedisin është në favor të kësaj kërkese: « Shkolla e detyrueshme mund të zhvillojë aftësi të përshtatshme tek nxënësit”, shkruan një zëdhënëse e “NZZ am Sonntag”. “Veçanërisht në rajone të kërcënuara nga rreziqe specifike natyrore, kjo me siguri do të jetë e patjetërsueshme që të vihet në dijeni të të gjithëve”.
Më tej gazeta 20 Minutes thekson se tema e rreziqeve natyrore është përfshirë në Planin e Studimit 21 i cili përcakton kurrikulën e shkollës fillore. Si pjesë e një projekti pilot, kantoni i Gjenevës, për shembull, ka zhvilluar material të ri mësimor në veçanti për shkollën fillore.
Përgatitja e fëmijëve jo vetëm nga ana psikologjike por edhe nga ana praktike është detyrim qytetar i çdo shoqërie që obligohet të veproj në parandalimin e rreziqeve dhe evitimin eventual të tyre.

