Mërgimtari doli pozitiv dhe negativ brenda një dite në dy laboratorë të ndryshëm në Kosovë

Të shumtë janë mërgimtarët të cilët po shprehin pakënaqësi për paskatësi në laboratorët e Kosovës rreth testit Covid.

Kreshnik Gashi, mërgimtar nga shteti i Zvicrës është shprehur për Albinfo.ch, se brenda një dite të vetme, është testuar dy herë, në dy laboratorë të ndryshëm duke dalë një herë pozitiv dhe një herë negativ.

“Në spitalin e Prizrenit dola pozitiv, për PCR dhe po në atë ditë e bëra testin në një laborator në qytetin e Rahovecit dhe dola negativ” – shprehet ai.

Ai e quan gjithë këtë, një manipulim me mërgimtarët, ku përfshinë edhe agjencionet për qëndrimet e tyre të luhatura rreth të drejtës për udhëtim.

“Për ne si diasporë është një manipulim. Asnjë agjension nuk e thotë se si është realiteti sa i përket PCR testit. Në një agjension në Prizren më thanë se nuk pranojnë këtë test, sepse vetëm 4 laboratore janë të lincencuara në Kosovë për testin PCR, gjë që nuk është e vertetë, sepse unë po me të njëjtin test fluturova me datën 28.02.2021 pa asnjë problem. Gjithashtu më është konfirmuar edhe nga Aeroporti i Prishtinës, që testi që bëra nga ky laborator vlen” bëri të ditur Gashi.

Mërgimtari shqiptar, shprehet se e gjithë kjo po bëhet për interesa personale dhe përfitime të njëanshme.