Personeli i ambulancës në Viti mbetet në karantinë pas kontaktit me personin e infektuar

Një ekip i tërë shëndetësorë në Viti, 11 mjek e infermierë, të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, që nga dje janë izoluar për shkak të kontaktit që patën me 77-vjeçari, i cili u konfirmua person i infektuar me koronavirus.

Drejtoresha e QKMF’së, Vjollca Kadolli i ka thënë Gazetës Express se gjendja e stafit është e mirë dhe se deri tani asnjëri prej tyre nuk ka shfaqur simptoma të koronavirusit.

Kadolli thotë se kanë qëndruar në dhomë gjatë tërë natës dhe se ditëve në vijim do të iu bëhen edhe atyre testet.

Ajo thotë se sipas informative që ka marrë, deri tani nuk ka ndonjë rast tjetër të dyshuar me koronavirus.

“Gjendja e stafit mjekësor është e mirë. Nuk kemi lëvizur fare nga objekti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare. Tërë natën kemi ndejtë në një dhomë. Sapo fola me doktoreshën, s’ka asnjë rast të dyshuar, pra gjendja është e mirë. Edhe neve do të na bëhen testet, pavarësisht se ne s’kemi pas kontakt me pacientin në fjalë, por vetëm me ambientin. Asnjëri prej nesh s’ka shfaq simptoma. Është bërë edhe dezinfektimi i objektit”, ka thënë Kadolli për Express.

Ndryshe, dje rreth orës 17:30, janë konfirmuar dy rastet e para me koronavirus në Kosovë.

Sipas ministrit Arben Vitia, bëhet fjalë për një vajzë të moshës 20 vjeçare, shtetase e Italisë dhe një burrë të moshës 77 vjeçe, nga Komuna e Vitisë.

Në konferencën ku u konfirmuan këto dy raste, kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos i shtrëngojnë duart me njëri-tjetrin, të qëndrojnë mbi 1 metër larg kur takohen dhe që t’i pastrojnë duart me ujë të ngrohtë mbi 30 sekonda.

‘Parandalimi është gjithcka. Le ta ruajmë vetën dhe njëri-tjetrin, që dy rastet e konfirmuara të mos shtohen. Të bëjmë kujdes maksimal që të mos iu bashkangjitemi vendeve të tjera që po raportojnë për mortalitet”, ka thënë Kurti në konferencë. /Gazeta Express