Meselja e Anton Çetës

Sabit Rrustemi

Më 14 korrik 1994, në restaurantin SHOW, në dalje të Prishtinës, kah Fushë Kosova, mbahej Kuvendi i Dytë i LDK-së, nën drejtimin e presidentit historik të Kosovës dhe të kësaj partie, dr Ibrahim Rugova. I pranishëm në Kuvend ishte edhe kryepajtimtari i Kosovës, profesor Anton Çeta.

Pas kryerjes së pikave të para të rendit të ditës, i erdhi radha edhe propozimeve për anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së. Ai shtegu i ngushtë mes dy palë ulëseve brenda hapësirës së restuarantit, u mbush sa çelë e mbyll sytë me delegatë të interesuar për të dhënë propozime për organin më të lartë të partisë që ishte më e madhja në vend.

Shumica dërmuese e të propozuarve ishin ish të burgosur politikë. Rugova, nja dy a tri herë insistoi të gjendej edhe ndonjë nga ata që fatmirësisht iu kishin shpëtuar burgosjeve, atë kohë e më herët. Por, insistimi i tij nuk iu bëri shumë përshtypje atyre që prisnin në radhë për të propozuar.

Më pas, Ai vetë, shfrytëzoi pozitën e drejtuesit të Kuvendit dhe e propozoi profesor Anton Çetën për anëtar të Këshillit të Përgjithshëm. Pasuan duartrokitjet si shenjë miratimi për propozimin e dhënë. Profesori u ngrit në këmbë dhe u drejtua kah foltorja. Po mendoja se do të na falënderohej. Ishte thuaja i vetmi propozim që u duartrokit fuqishëm.

“Më lejoni t’ua tregoj një mesele, tha, se mbase i shkon edhe këtij Kuvendi. Me nji katund diku n’Kosovë, njani kish pas pula shumë, po edhe knojs, bajagi mes pulave. Po, ai i Zoti i shpisë mes atyre pulave e konojsve, e kish pas edhe nji Knus bukur t’madh. Ma t’madhin n’mesin e tyre. Knojsit tjerë s’guxojshin me u ni t’gjallë pej tij. Ish ba marak i Zoti i shpisë, edhe po i kanë dert nji mikut tij. I kam bre do knojs t’mirë e t’hjeshëm, per marak, besa edhe t’rij. Po s’po m’knojnë, edhe bash jam ba marak, sa s’di hiç shka me ba me ta. A, kam qef me ditë shfarë zani kanë. Po, jo tybe, s’kanë za. M’ka hi tuta qi zanatin e t’knumit s’dojnë me msue kurrë…

Ja nis e po kesh aj miki. Kollaj e paske mej msue, i thotë. Vej hiqja kryet qatij t’madhit, edhe qu heret n’sabahin tjetër e ngoji qysh knojnë. Tybe, n’mujshë m’i dallue zanat e tyne kurqysh tuj dhanë zor me knu të tanë përnjiheri…”

Salla ku mbahej Kuvendi i Dytë i LDK-së u mbush me të qeshura. Bile edhe me një të qeshur të lehtë të profesor Anton Çetës.

– E, unë dola k’tu me ju falënderue e me ju çelë udhë k’tyne t’rijve, se s’po du me u ba si ai Knusi i madh qi s’i lake tjertë me knue.

Duartrokitjet nuk munguan prapë, por jo edhe mësimi nga shembulli i tij…