Mesiq për agresionin në Banjskë: Ishte përgatitur për të nxitur luftë

Ish-presidenti kroat, Stipe Mesiq, deklaron se agresioni serb në Banjskë të Zveçanit ishte përgatitur dhe pjesë e saj ishin edhe disa institucione serbe.

Nga këto të fundit, ai shton se grupi terrorist u pajis për provokim e luftë.

Në intervistën për KosovaPress, ai kritikon Bashkimin Evropian për qasjen dhe qëndrimet pas 24 shtatorit. Njeriu që udhëhoqi Kroacinë për një dekadë si president vlerëson pozitivisht veprimet e ndërmarra nga institucionet kosovare, meqë konsideron se kjo situatë do të prodhonte edhe më shumë viktima.

Ish-presidenti i Kroacisë thotë se Kosova është shtet dhe këtë fakt duhet ta kuptojnë të gjithë.

“Mendoj se gjithë bota duhet ta kuptojnë se Kosova është fakt, se Kosova është shtet dhe se të gjitha shtetet kanë të njëjtat të drejta dhe të njëjtat marrëdhënie me Kosovën, ndaj duhet njohur një fakt, atë që në Serbi ende nuk e njohin Kosovën, ky është një problem që ia ka vënë vetes udhëheqja e Serbisë. Prandaj, Serbia nuk ka pse ta njohë Kosovën, e gjithë bota do ta njohë Kosovën, por Serbia nuk ka nevojë, por duhet të lejojë lëvizjen e njerëzve, lëvizjen e kapitalit, lëvizjen e ideve, kështu që duhet të lejojë komunikimin me botën”, deklaron ai.

Pas agresionit serb në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, Mesiq konsideron se Kosova duhet të vazhdojë dialogun.

“Po, sigurisht, Kosova gjithmonë ka treguar interes që çdo gjë të zgjidhet në mënyrë paqësore, në mënyrë diplomatike dhe në këtë kuptim, mendoj se Kosova do të vazhdojë të ketë të njëjtat pikëpamje, kështu që Qeveria e Kosovës, ata që udhëheqin në Kosovë, ata udhëheqin një politikë evropiane dhe në këtë kuptim duhet edhe në Serbi t’i kuptojnë faktet dhe të vendosin sipas atyre fakteve”, shton ai.

Politikani kroat tregon se javën e shkuar në Zagreb është takuar me kryetaren e shtetit, Vjosa Osmani, ku thekson se e njëjta ka qasje realiste ndaj politikës evropiane.

Të njëjtat vlerësime nuk ka edhe për vendet e bllokut, ku thekson se lidershipi i Bashkimit Evropian po gabon.