Mësoni fëmijët tuaj t’u dhimbset tjetri, heshtja është aleat i dhunës
Aurita Agushi
Prej dje po më rëndon një pamje që nuk më del nga mendja. Jam menduar nëse të shkruaj apo jo, por zemra nuk më lë të heshtë.
Pashë një video të tmerrshme, ku disa vajza nën moshën 14 vjeçe rrihnin, shanin, poshtëronin dhe e detyronin një moshatare të tyre t’u puthte patikat.
Nuk munda ta shikoj deri në fund. U drodha, u revoltova, u thye diçka brenda meje.
Kjo nuk është thjesht një sherr mes fëmijësh. Kjo është mizori.
Dhe mizoria nuk lind nga asgjë — ajo mbillet, ushqehet, rritet.
Kush e mbjell? Ne! Shoqëria, shkolla, por mbi të gjitha prindërit.
Prindër të dashur, mos u gënjeni: nuk mund të mos shihni shenjat e fëmijës suaj.
Nëse sot mbyllni sytë për një sjellje të gabuar, nesër mund të jetë shumë vonë.
Nuk e edukoni dot me para, me telefona të shtrenjtë, me pushime luksoze.
Edukimi fillon në shtëpi. Fillon me fjalë, me shembull, me kufij të qartë.
Nuk është turp ta çosh fëmijën te psikologu — është përgjegjësi. Turp është ta lini të rritet me zemër të ftohtë dhe me dorë që godet.
Mos e justifikoni. Mos e mbroni. Lëreni të përballet me pasojat. Është më mirë të ndëshkohet sot sesa të shkatërrojë jetën e dikujt nesër.
E përgëzoj familjen e vajzës së maltretuar që nuk e mori ligjin në dorë, por iu drejtua organeve të drejtësisë. Ky është shembull për t’u ndjekur.
Fatkeqësisht, në shumë shkolla ende mbizotëron heshtja — si rasti i fundit në “Xhemajl Mustafa” në Prishtinë.
Prandaj, flisni me fëmijët tuaj sot, jo nesër. Edukoni zemrat e tyre para mendjeve. Mësoni t’u dhimbset tjetri. Mësoni t’i japin dorën, jo grushtin.
Dashuria dhe lutjet e mia shkojnë për vajzën e lënduar dhe familjen e saj.
Por zemërimi im është për të gjithë ata që heshtin dhe mbyllin sytë.

