Mësuesi që la gjurmë të përjetshme në shkollën shqipe të Malësisë së Bujanocit
Mësuesi Xhemail Sylejmani ia kushtoi arsimit tërë jetën e tij. Gjithmonë ishte i pari aty ku duhej, aty ku e kërkonte nevoja për ta dëbuar errësirën dhe të keqen e për të sjellë te mirën, dritën dhe dijen.
As nuk u lëkund përballë kërcënimeve të pushtetit dhe as nuk u josh nga ledhatimet e tij, por mbeti mësues i kombit dhe luftëtar i denjë i të drejtave të tij.
Malësia e Bujanocit, asnjëherë nuk mund ta harrojë mësuesin e saj, i cili dha kontribut të jashtëzakonshëm në shkollimin e të rinjve dhe motivimin e vajzave për të ndjekur rrugën e dijes.
Ishte i ndërgjegjshëm se vetëm nëpërmjet arsimimit, mund të arrihet ajo që dëshirohet dhe pikërisht për këtë shkak, nuk shikohej më sy të mirë nga regjimi sllavo-komunist.
Etja e tij për dije ishte e pakufishme. Nga Zarbinca e Bujanocit, shkoi në Prishtinë, për t’u regjistruar në Normale, të cilën e kreu me sukses të shkëlqyeshëm.
Në vitin 1954, kthehet i diplomuar në Malësi dhe caktohet mësues në Breznicë të Bujanocit, ku punoi më së tre muaj.
Më pas, kthehet në vendlindjen e tij, në Zarbincë, fillimisht si mësues e më vonë edhe si udhëheqës i shkollës.
Si njeriu i parë i saj, ndonëse në moshë të re, me punë dhe vizion, bëri ndryshime rrënjësore në shkollën e këtij fshati.
Jeta dhe vepra e tij, në tërësi i përket shkollës kombëtare. Falë këmbëngulësisë së tij, shkolla e fshatit bëhet tetëvjeçare.
Thoshte se Malësia e meriton shkollën e plotë fillore, sepse e do arsimimin dhe bashkëvendësit e tij nuk duan te mbetën analfabetë.
Pa frikë, këtë vendim e kishte mbrojtur edhe para pushtetit. Në këtë mënyrë, kishte realizuar një ëndërr të madhe për Malësinë.
Mësuesi Xhemë arriti t’i bindte malësoret e tij që t`i shkollimin bijat e tyre, që ato të bëheshin të arsimuara e jo të mbeteshin vetëm për punë shtëpie e për të lindur fëmijë. Falë tij, vajzat e Zarbicës morën rrugën e shkollimit.
Në vitin e stuhishëm 1956 doli haptas për t’i bindur shqiptarët që të mos shpërnguleshin për Anadoll, duke iu thënë se këtë rrugë e dëshirojnë vetëm ata që këto troje i duan pa ne.
“Ata që ua kthejnë shpinën varreve të parëve, do t`i mallkojë Toka e Zoti, kudo që janë”, thoshte mësuesi Xhemë.
Këshillat e tij ndikuan që shumë familje të bindeshin dhe hoqën dorë nga rruga drejt Turqisë.
Në vitin 1963/64 regjistrohet në shkollën e lartë pedagogjike në Vrajë, në degën e Matematikës, të cilën e mbaron më sukses, edhe pse ishte në gjuhën serbokroate.
Pas diplomimit, sërish i kthehet vendlindjes, ku nderohej e çmohej shumë si intelektual.
Më 1974 transferohet në Gjilan dhe punësohet në shkollën fillore “Selami Hallaqi”, ku punoi deri kur edhe u pensionua (1991) pas dyzet e më shumë vitesh me ditar në dorë.
Mbahet mend për modestinë që kishte. Ishte i saktë dhe vlerësonte drejt. Ishte punëtor, i zellshëm dhe vlerësonte punën e të tjerëve.
Kishte kulturë të gjerë dhe sjellje të shkëlqyeshme me nxënës, ishte pedant dhe i përpiktë në punë, i sinqertë me kolegë e i dashur për të gjithë.
Ai do të mbetët në kujtesën e shumë brezave si njeri që ka lënë gjurmë të përjetshme në arsim, sidomos në trojet shqiptare të Malësisë së Bujanocit./Mediafokus

