Mësuesi që nuk hoqi dorë nga arsimi derisa klasa mbeti pa asnjë nxënës

Rrahman Hyseni ka bërë një dedikim prekës për ish-mësuesin e tij, Hamdi Ferati nga Dukati i Medvegjës, i cili ndërroi jetë në moshën 74-vjeçe.

Hamdi Ferati (26.7.1947-o5.06.2021) është pothuajse i vetmi mësimdhënës, i cili e filloi punën dhe e përfundoi në të njëjtën shkollë. Tërë jetën ia dedikoi arsimit dhe edukimit të brezave në Medvegjë. Një pedagog e edukator që e luftoi analfabetizmin, asimilimin dhe kontribuoi shumë në ngritjen e vetëdijes kombëtare. Ishte edhe atdhetar i shquar, i cili në asnjë momonet nuk e braktisi as vendlindjen dhe as qëllimin të cilin ia kishte dhënë vetes. Njihet për trimëri dhe sakrifica për mbijetesën e shqiptarëve në komunën e Medvegjës.

Hamdi Ferati vjen nga Sijarina (Dukati), komuna e Medvegjës. Shkollën fillore e përfundoi në Banjë të Sijarinës, në gjuhën serbokroate. Pas shkollimit fillor, u regjistrua në shkollën e mesme normale (1962/1963) në gjuhën serbokroate në Prishtinë. Rrugën nga Sijarina (Dukati) deri në Prishtinë e bënte këmbë, si shumë bashkëmoshatarë të tjerë në atë kohë, vetëm e vetëm për ta vazhduar shkollimin.

Në vitin e parë u regjistrua në paralele eksperante (me nxënës të kombinuar shqiptarë dhe serbë, të cilët vijonin mësimet në të dy gjuhët), ku gjatë gjysmëvjetorit u tërhoqën nxënësit serbë dhe paralelja u mbyll.

Vitin e dytë dhe të tretë e përfundoi në gjuhën serbe. Vitin e katërt të shkollës së mesme e vazhdoi në Gjilan, për shkaqe ekonomike, me disa bashkëvendës. Kurse, vitin e pestë të shkollës normale e përfundoi në gjuhën shqipe dhe mori diplomën e mësuesit.

Pas përfundimit të normales, më 1968, së bashku me një pjesë të stafit të pedagogëve u kthye në Malësi të Medvegjës për ta dhënë kontribut në hapjen e paraleleve shqipe në edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj.

Më 1968 filloi punën në shkollën fillore në Sfircë, ku në atë kohë ishin dy mësues me rreth njëqind nxënës dhe mësimi zhvillohej nga klasa e parë deri në të katërtën. Edhe këtu, udhëtimi i përditshëm në relacionin Sijarinë (Dukat) – Sfrircë ka qenë në këmbë.

Në shtator të vitit 1969 e ndërpreu mësimin, sepse ishte i detyruar të shkonte në ushtri, e cila në atë kohë ishte obliguese, deri në tetor të vitit 1970. Nga tetori i vitit 1970 deri më 1971 vazhdoi punën e mësuesit në shkollën fillore në Sfircë. Nga shtatori i vitit 1971 e deri në vitin 1985, për katërmbëdhjetë vite rresht punoi si mësues në shkollën fillore në Sijarinë, cikli i ulët.

Në shkollën e Sijarinës, mësimi në atë kohë është zhvilluar vetëm në gjuhën shqipe. Kurse, para vitit 1970, mësimi është zhvilluar në gjuhën serbe, ku nxënësit shqiptarë kanë qenë të detyruar t’i vijojnë mësimet në gjuhën serbokroate.

Mësimi zhvillohej në kushte të rënda pune dhe vështirësi infrastrukturore, në një shtëpi të vjetër e ndërtuar nga një familje malazeze, pa rrymë elektrike, me tentime të ndryshme që nxënësit të vijojnë mësimin në gjuhën serbe.

Falë tij, prindërve dhe fshatarëve të cilët kanë bashkëpunuar, nxënësit vijuan mësimin në gjuhën shqipe për ta luftuar analfabetizmin dhe asimilimin.

Nga viti 1981 mësimi është mbajtur në shtëpi private te Qazim Hasani, derisa u ndërtua objekti i ri shkollor. Në ndërtimin e objektit të ri shkollor, kontribut kishin dhënë bashkësitë familjare dhe bashkësia e interesit të arsimit (shqiptarë dhe serbomalazezë).

Përkundër kushteve të vështira të punës, koha dhe era ishte e mirë. Ishte një mësimdhënës dhe pedagog shembull, që ka lënë gjurmë të mëdha në gjeneratat e ardhshme. Një aktivist me të gjitha elementet e mundshme, një kohë ishte kryetar i degës socialiste. Ishte i angazhuar në çdo ekip që e kërkonte koha, si ato për arsim, të drejtat kombëtare, infrastrukturë, elektrifikim, në kuadër të komunës së Medvegjës.

Nga viti 1985 deri në vitin 1999, punoi si mësues në shkollën fillore “Zenel Hajdini” e më vonë “Banja e Sijarinës” në Banjë të Sijarinës. Në vitin 1999, nuk e braktisi vendin e punës dhe as vendlindjen. Ishte i vetmi mësimdhënës shqiptar, i cili u paraqit në vendin e punës në fillim të vitit shkollor 1999/2000.

Momentin më të vështirë e përjetoi më 1 shtator 1999, kur e pa numrin e vogël të nxënësve shqiptarë krahasuar me numrin e nxënësve që kjo shkollë kishte në mars të vitit 1999 (rreth 400). Megjithatë ishte i kënaqur që kishte ende nxënës, edhe pse me numër shumë të vogël, kur në atë fillim të shtatorit, kjo shkollë numëronte rreth 60 nxënës shqiptarë.

Në atë periudhë në shkollë ishte e vendosur ushtria dhe në kushte të vështira, megjithatë është mbajtur mësimi. Të gjithë kolegët e tij ishin shpërngulë, me përjashtim të disa kolegëve të tjerë që njësoj qëndruan dhe vazhduan punën.

Çdo ditë e më shumë shkonte duke u zvogëluar numri i nxënëseve. Krejt kjo ndikonte edhe në gjendjen shpirtërore të mësuesit, është shumë e vështirë të shikosh se si zbrazet klasa, shkolla, fshati dhe komuna.

Më 14 mars 2000 i kishte tre nxënës në klasë, me paralele të kombinuara. Të nesërmen, kur hyri në klasë, ajo ishte e zbrazët, pa asnjë nxënës. Nxënësit së bashku me familjen e tyre ishin shpërngulur në Kosovë. Kush do ta imagjinonte këtë, bazuar në fillimin e ciklit të punës, e vitet e tjera, sa e sa nxënës ishin, sa e vështirë.

Deri në shtator të vitit 2001 ishte i angazhuar në punë administrative shkollore dhe në Entin e punësimit, pasi nuk kishte nxënës. Nga një shtatori i vitit 2001, cikli i ulët u hap prapë me kthimin e disa familjeve shqiptare. Dhe kështu vazhdoi punën si mësues deri më 31 gusht të vitit 2012, kur edhe u pensionua. Në pension shkoi me dyzet e dy vite e njëmbëdhjetë muaj punë në arsim.

/Rrahman Hyseni