Mesxhidi i Sllakocit ka mbijetuar dy shekuj e gjysmë
Mesxhidet janë objekte për faljen e besimtarëve, pa minare, që në kohët e hershme janë ndërtuar si zëvendësim të xhamive.
Një i tillë ekziston në Sllakoc, një fshat i largët malor i komunës së Gjilanit, i ndërtuar para më shumë se 250 vitesh, shkruan Mediafokus.info.
Mesxhdii është rinovuar para 22 vitesh, menjëherë pas luftës në Kosovë.
Prej vitit 2014, kur iu ndërtua minarja, mesxhidi quhet xhami.
Pavarësisht emërtimit, objekti ka shërbyer për ceremoni fetare, por është interesant vjetërsia që ka kjo ngrehinë, e cila ka mbijetuar disa periudha kohore, edhe pse e bërë prej gurëve dhe drurit.
Pjesa kryesore dhe më e rëndësishme e mesxhidit, është dhoma e lutjeve.
Një xhami e tillë, pa minare deri në ditët e sotme, ndodhet edhe në fshatin Vërbicë e Zhegocit, që i përket të njëjtës malësi me Sllakocin, por ajo nuk është quajtur ndonjëherë me këtë emër.
Sipas Sherafedin Kadriut, zyrtar në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan, është ndërtuar në vitin 1770.
Objekti, pos themeleve që janë bërë me gurë, muret e tij janë punuar me shtylla druri dhe janë thurur me thupra.
Sipërfaqja origjinale e sallës së lutjeve, e vitit 1770, ka dimensione 7.40 me 5.20 metra, ose më pak se 40 metra katrorë.
Sllakoci, gjithmonë ka qenë një fshat i vogël dhe nuk ka pasur asnjëherë numër të madh banorësh.
Pas 200 vitesh, objekti i mesxhidit në Sllakoc është zgjeruar me një aneks, për të rritur sallën për 2.60 metra.
Në vitin 2014, xhemati i fshatit ka ndërtuar një minare tradicionale për mesxhidin dhe prej atëherë e këndej, objekti trajtohet si xhami.
Minarja është e ndarë krejtësisht nga objekti.
Mesxhidi i vjetër rreth dy shekuj e gjysmë, ka një sipërfaqe truall prej 10 ari.
Siç dihet, xhamitë e dikurshme kanë shërbyer edhe për mbajtjen e mësim-besimit.
Sipas regjistrimit të fundit Sllakoci i Epërm ka 256 banorë, ndërkaq Slakoci i Poshtëm – 64 banorë, por as gjysma e tyre nuk jetojnë aktualisht në këto fshatra të bashkësisë lokale të Kishnapolës./Mediafokus.info

