Dedikim për Isën: Ti ke lënë shumë vepra që e tejkalojnë vdekjen
Izet Kallaba
(Një jetë me muzikë)
Sot e kam shumë vështirë të shprehem për ngushëllime nga se zakonisht kur takoheshim me Isën, çmalleshim me humor shpesh edhe duke kënduar.
Për 35 vite ishim bashkë, s’pari me aktivitete kulturore të qytetit, përmes shoqërive kulturore, siç ishte “Zenel Hajdini”, më pastaj si themelues të shkollës fillore të muzikës, viti shkollor 1979/ ‘80 s’bashku me kolegët tanë: Xhevatin, Zekën, Selmanin e ndonjë tjerë, për të kulmuar me rezultate të lakmueshme vit pas viti në nivel kombëtar e ndërkombëtar.
Unë nuk do të flas për ditëlindjen tënde, kushtet e rënda jetësore dhe peripecitë tjera, sepse këtë më së miri e dinë familjarët tu, sidomos gruaja yte zoja Ylfete e cila në ditët e pleqërisë nuk të linte vetëm për asnjë moment: ag e terr ishit bashkë, një jetë për lakmi dhe vjen ikja jote e befasishme para se të shfaqej koncerti ynë i përbashkët.
Një jetë të tërë ja kushtove arsimit duke dhuruar dije me pendë e djersë atdhedashurie.
Ku ka më mirë se të vdesësh duke dhuruar këngët më t’mira për shkollarët an’ e mbanë Kosovës, duke arsimuar gjenerata me dekada të tëra që sot përformojnë në koncerte prestigjioze brenda dhe jashtë vendit.
Për shpërblimet që ke arritur si mësimdhënës shembullor, për punën në Shoqërinë kulturore ,,Zenel Hajdini“ e më vonë në Shoqërinë kulturore ,,Drita”, duke kulmuar me krijimtarinë tënde si kompozitor i parë i kësaj ane, jo veç me rezultate, por edhe me inspirime krijuese për gjeneratat e reja.
Për këtë do të jemi mirënjohës përjetësisht, kurse shembullin tënd do e vazhdojmë ashtu si na ke mësuar: Një jetë me muzikë për të cilën do të shkruaj edhe historia e muzikës kombëtare.
Ja që erdhi edhe koha të ndahemi por s’po mundem të të them lamtumirë sepse nga jeta yte e bujshme ke lënë shumë vepra që e tejkalojnë vdekjen tënde.
Qofsh i parajsës miku im i çmuar …