Milazim Krasniqi: Disa përvoja të miat në përballim me COVID-19

Shkruan: Milazim Krasniqi

Atyre që nuk janë ballafaquar me Covid 19, nga zemra u dëshiroj që kurrë të mos preken nga ky virus!

Ndërsa atyre që mund të preken në të ardhmen, u rekomandoj disa sjellje e veprime, të cilat mua më kanë ndihmuar.

E para, me të marrë njoftimin që jeni infektuar me Covid 19, drejtojuni Zotit me lutje, që t’u japë durim dhe shërim.

E dyta, familjarëve kërkojuni të mos shqetësohen shumë, mund t’u kërkohet mirëkuptim e edhe falje për gjendjen e krijuar.

E treta, duhet të filloni ta merrni seriozisht gjendjen tuaj reale, pa imagjinuar asgjë. Nëse i jeni mbështetur tërësisht Zotit dhe e keni mirëkuptimin e familjes, gjërat bëhen më të lehta.

Megjithatë, duhet të koncentrohuni në disa veprime me përparësi: 1) vizita te mjeku duhet të bëhet sa më parë dhe të fillojë terapia, që varet nga rezultatet laboratorike dhe nga rentgeni.

Asnjë ditë nuk duhet të vonohen analizat dhe fillimi i terapisë.

2) Nëse qëndroni në shtëpi, po edhe në spital, zgjidhja më e mirë eshtë të dëgjoni sa më shumë Kuran. Kurani është shërues dhe qetësues.

3) Mirë është të shikohen/dëgjohen ligjërata fetare, që afirmojnë besimin, shpresën dhe idenë e shpëtimit.

4) Nganjëherë mund të dëgjohet muzikë e mirë, të shikohet ndonjë ngjarje sportive.

5) Filma nuk duhet të shikohen, veçmas jo filma me skena të dhunshme, sepse ato mund të provokojnë edhe halucinacione.

6) Me telefon nuk duhet të bisedohet, përveç për nevoja direkte me familjarë a mjekë.

7) Ta përkujtosh Zotin sa më shpesh e sa më me emocion.

7) Ata që falen, duhet të vazhdojnë deri sa të munden, pa dëmtuar gjendjen e tyre. Kur nuk mund të falen në këmbë, mund të falen ulur, si edhe shtrirë, pasi këto lehtësime i ka lejuar Zoti. (Gjatë qëndrimit në spital, të gjitha kohët e namazeve i kam falë i shtrirë.)