Milo Gjukanoviç takon liderët e partive shqiptare në Mal të Zi
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç ka pritur sot në takim Nik Gjeloshajn, Genci Nimanbegun, Mehmed Zenken dhe Fatmir Gjekën, me të cilët ka bisdeuar për mandatarin dhe përbërjen e Qeverisë së re.
“Mesazhi jonë ishte që procesi të përshpejtohet për të formuar sa më parë qeverinë. Presim që për mandatar të emërohet Dritan Abazoviq,“ tha Gjeloshaj.
Kreu i Forcës, Genci Nimanbegu, tha se në konsultimet u shpreh qartë se të gjithë duhet të veprojmë me përgjegjësi, shkruan malesia.org.
“Ideja që Abazoviq të jetë mandatar është e pranueshme për të dalë nga kriza politike. Shpresoj që Milo Gjukanoviç t’i japë së shpejti mandatin”, theksoi Nimanbegu.
Ai theksoi se janë duke u zhvilluar bisedimet për konceptin e qeverisë pakicë.
Në takim me Gjukanoviçin ishte edhe kryetari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Mehmed Zenka.
Ai pas takimit tha se kanë pasur një bisedë konstruktive për formimin e qeverisë së pakicave: “Ka mbështetje të parezervë, sepse situata është e paqëndrueshme për të gjithë shtetin.“
“Është koha që të organizohet, të paktën brenda një viti, për të siguruar stabilitetin ekonomik dhe paqen në Mal të Zi dhe për të krijuar parakushte optimale për zgjedhjet parlamentare brenda një viti,” tha Zenka.
I pyetur se kush do të formonte qeverinë e ardhshme të pakicës, Zenka tha se ka pretendentë të mundshëm për DPS-në, e cila do të jepte mbështetje pa marrë pjesë në qeveri, dhe LQ URA, partitë e pakicave dhe SNP nëse vendosin të jenë pjesë e qeverisë.
Siç tha ai, për kryeministër është i pranueshëm kushdo që do ta nxjerrë Malin e Zi nga kjo situatë.
I pyetur nëse ai ishte Dritan Abazoviq, Zenka u përgjigj pozitivisht.
“Kushdo që do ta shpëtonte Malin e Zi nga kjo situatë është i pranueshëm për ne si kryeministër”, tha Zenka, duke shtuar se nuk do ta kishte problem që të ishte Abazoviq.
Kryetari i PD-së, Fatmir Gjeka, tha se edhe pas zgjedhjeve janë pro formimit të qeverisë së pakicës.
“Me presidentin kemi shkëmbyer mendime se është mirë në këtë moment të shkojmë drejt formimit të qeverisë së pakicave“.
Ai po ashtu tha se është më realiste që kryeministër të jetë kreu i LQ URA, Dritan Abazoviq.
Përfaqësuesit e URA-a i kanë thënë presidenrtit se mandati për qeverinë e 43-të duhet t’i takojë Dritan Abazoviqit, kreut të asaj partie.

