Ministri Cakaj vizitë treditore në Luginë

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj, gjatë kësaj jave për tre ditë rresht do të qëndrojë në Luginë, shkruan FOLonline.

Diplomati shqiptar vizitën do ta nis ditën e mërkurë në Preshevë, ku do të takojë liderët politikë, nënshkrues të Marrëveshjes për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare me Listën “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”.

Në Preshevë, ministri Cakaj do të ketë takim edhe me kryetarin e Komunës, Shqiprim Arifi, do t’ i bëjë vizitë Shkollës së Mesme “Skënderbeu”, parkut industrial si dhe do të bashkëbisedojë me qytetarët.

Ditën e dytë të vizitës, Cakaj ia ka kushtuar Bujanocit.

Mëngjesin do ta fillojë me një takim pune me kryetarin e Komunës, Shaip Kamberi, për të vazhduar me atë të KKSH-së, Ragmi Mustafa.

Po ashtu, ministri do të vizitojë shkollën e mesme “Sezai Surroi”, Degën e Fakultetit Ekonomik, Zyrën Ndërlidhëse të OSBE-së, etj.

Në ditën e tretë dhe të fundit, ministri Cakaj ka paraparë të qëndrojë në Medvegjë.

Atje do të takojë këshilltarët shqiptarë, do të vizitojë shkollën fillore si dhe fabrikën prodhuese të afaristit Muharrem Salihu./mediafokus.info