Miratohet propozimi i kryetarit të Komunës që familjes së Agon Musliut t`i ndahet një ndihmë prej 5000 euro

Kuvendi Komunal i Gjilanit ka miratuar propozimin e kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri për ndarjen e një shumë prej 5000 euro familjes së Agon Musliut, i cili vdiq tragjikisht në karantinën e Qendrës Studentore, javë më parë.

Njëherësh, Kuvendi, në seancën e sotme, të kryesuar nga Shpresa Kurteshi – Emini, pos tjerash, ka shqyrtuar dhe miratuar edhe raportin financiar janar-qershor 2020, të cilin e paraqiti Ilmi Limani, shef i Financave, rregulloren për procedurën e ndërtimit të objekteve me karakter të përkohshme në pronat e personave fizikë dhe juridikë, që e arsyetoi drejtori i Urbanizimit, Bekim Bajrami, me disa ndryshime që u propozuan nga kuvendarët, vendimin për këmbimin e pronës private me pronën komunale sipas PRRU “Gllama” dhe PRRU “Dheu i Bardh-1”, që e arsyetoi drejtori i Kadastrës, Sali Fazliu.

Po ashtu Kuvendi miratoi edhe vendimin për organizimin e dëgjimit publik për Planin Zhvillimor Komunal 2020-2028, që e arsyetoi drejtori i Urbanizmit, Bekim Bajrami, vendimin për kompensimin e Komisionit për ndarjen e bursave, që Kuvendi vendosi të jetë një paushall prej 250 euro, vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për emërimin e Komisionit komunal të aksionarëve në NPL “Stacioni i Autobusëve”, ku Arben Rexhepi zëvendëson Artan Musliun që ka dhënë dorëheqje dhe vendimit për NPL “Tregu”, ku Xhejlane Vokshi zëvendëson Shadije Rexhepin, që po ashtu ka dhënë dorëheqje. Arsyetimet i ka dhënë Avdyl Aliu, shef i grupit të këshilltarëve të LDK-së.

Në bazë të një kërkese paraprake, kuvendarët u njoftuan edhe zhvillimin e punimeve në qendrën e qytetit dhe në lagjen “Dardania”, nga drejtori i Shërbimeve Publike, Naser Korça, i cili i dha të gjitha sqarimet e nevojshme për të dyja projektet si dhe u përgjigj në pyetjet konkrete të këshilltarëve komunalë, kryesisht të opozitës.

Kuvendi u njoh edhe me raportin e punës së Komisionit të Aksionarëve të ndërmarrjes publike “Ecohigjiena” për vitin 2019, që e paraqiti Meral Sadriu-Vokshi, por raporti i saj nuk e kënaqi opozitën, e cila e vlerësoi raport të mangët dhe që nuk ofron asnjë informatë të vlefshme.

Siç dihet, partneriteti publik-privat në këtë ndërmarrje është në krizë prej shumë kohësh dhe rasti, siç ka sqaruar nënkryetari Arbër Ismajli, është në gjykatë, meqë nuk kanë arritur të gjejnë gjuhë të përbashkët me partnerin privat.