Ismajli: Vendosja e Drejtorisë së Kulturës në ambientet e bibliotekës mund të rishikohet
Kërkesat e shoqatës së transportuesve “Anamorava” janë duke u trajtuar, por disa prej tyre nuk kanë të bëjnë me nivelin lokal, ka thënë Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës, duke u përgjigjur në interesimet e këshilltarëve komunalë, të cilat ata i ngritën në seancën e sotme.
“Me sa di unë, ata kanë pasur një takim edhe me ministrin e Infrastrukturës dhe kanë marrë premtimin për subvencionim e humbjeve që transportuesit i kanë pasuar shkaku i pandemisë. Sa iu përket taksive ilegalë, ne jemi duke punuar për zgjidhjen e këtij problemi, kurse kërkesa për heqjen e peronizimit nuk mund të realizohet, sepse është i vetmi shërbim i Stacionit të Autobusëve”, ka thënë Ismajli.
Në lidhje me zhvendosjen e DKRS-së në hapësirat e Bibliotekës, Ismajli tha se vendimi mund të rishikohet nëse kjo paraqet pengesë për punën e bibliotekës.
Njëherësh, ai tha se personalisht nuk pajtohet me vendimin e nivelit qendror për mbylljen e bibliotekave, shkaku i pandemisë dhe kërkoi që ky vendim të anulohet urgjentisht dhe bibliotekat të hapen për lexues.
Kurse pyetjes për varrezat e qytetit, Ismajli iu përgjigj duke thënë se ekziston një kompani që kujdeset për mirëmbajtjen e kësaj hapësire dhe sipas kontratës, ajo e bën pastrimin dy herë brenda vitit.