Mjedisi i pastër është jeta e fëmijëve tanë

Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës së Gjilanit, ka thënë se mjedisi i pastër është parakusht shumë i rëndësishëm për të ardhmen e fëmijëve tanë.

Ai ka pritur sot në një takim pune majorin Selajdin Kastrati, për t’u koordinuar rreth aksionit vullnetar me moton “Ta pastrojmë ambientin tonë ku jetojmë e veprojmë”.

Regjimenti I, bashkë me njësitë e tij në kazermën e Gjilanit, ka shprehur iniciativën dhe gatishmërinë e plotë për pastrimin e mbeturinave dhe hapësirës përreth Liqenit të Livoçit, duke dhënë mesazh pozitiv mbi rëndësinë e shfrytëzimit më të mirë të këtyre hapësirave, duke mos i degraduar me hudhje të mbeturinave nga ana e qytetarëve.

Ismajli ka thënë se edhe Komuna e Gjilanit do t’i bashkangjitet këtij aksioni, duke dëshmuar vendosmëri të plotë, për t’i dalë në krahë kësaj iniciative të Forcave të Armatosura të Kosovës.

‘Mjedisi i pastër është çështje shumë e rëndësishme për fëmijët tanë, për të rriturit, e të moshuarit. Nga ai fitojmë shëndetin e plotë dhe krijojmë një imazh pozitiv si vend.

Ne vetëm kur ta shikojmë natyrën dhe liqenet tona si një komoditet të cilës ne i përkasim, atëherë mund të fillojmë ta duam dhe ta respektojmë atë’, ka thënë ai.

Kujtojmë që ky aksion do të mbahet nesër më datë 08.12.2020, duke filluar nga ora 09:30.