Mjekët nga Turqia do të realizojnë 16 operacione kardiokirurgjike në Kosovë
Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia, ambasadori turk në Kosovë, Sabri Tunç Angılı dhe drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar (SHSKUK,) Elvir Azizi, kanë mirëpritur një ekip të mjekëve dhe ekspertëve nga Turqia në Prishtinë, përcjellë trtballkan.
Siç konfirmoi për Anadolu, zëdhënësi i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Shpend Fazliu, mjekët nga Turqia gjatë javës do të kryejnë 16 operacione kardiokirurgjike te fëmijët me probleme në zemër si dhe do të realizojnë 30 intervenime të tjera kardiologjike, përfshirë koronarografi e stentime dhe raste elektrofiziologjike.
Sipas njoftimit, Vitia tha se Ministria e Shëndetësisë është e përkushtuar për avancim të shërbimeve shëndetësore, andaj përkrahja dhe mbështetja e ekspertëve është e mirëseardhur.
Në emër të ekipit të ekspertëve, Alper Güzeltaş, tha se ndihet i nderuar që është udhëheqës i ekipit dhe që ka mundësi të kontribuoj për fëmijët e Kosovës.
Ekipi i mjekëve po qëndron në Kosovë në bashkëpunim dhe mbështetje të organizatës “Muntada Aid”, kurse koordinimin punës e ka bërë mjeku nga Kosova, Ramush Bejiqi.

