Mjeku Alimehmeti: Fundi i tetorit dhe nëntori do të jetë ‘prova e zjarrit’ me pandeminë

Fundi i tetorit dhe nëntori do të jetë ‘prova e zjarrit’ për situatën pandemike, por kurrsesi nuk do të jetë vjeshta e viti të kaluar. Këtë përgjigje dha në studion “Dita Jonë” mjeku Ilir Alimehmeti kur u pyet nëse ka ardhur fundi i pandemisë.

Mjeku Alimehmeti parashikon një valë tjetër të koronavirusit në vjeshtë, por përjashton një situatë pandemike të ngjashme me vitin e kaluar. Sipas tij, gjithçka do të varet edhe me procesin e vaksinimit.

“Do të ketë një valë sezonale tjetër, por duhet parë si do të ecë vaksinimi dhe a do të ketë ndonjë variant që kapërcen efikasitetin. Shtatori-tetori do jetë mirë, kurse tetor-nëntor do të jetë prova e zjarrit. Do të ketë rritje dhe sa e madhe do të jetë? Do të ketë raste, por nuk do të jetë kurrë vjeshta e kaluar. Megjithëse ai që nuk e ka kaluar apo nuk është imunizuar duhet të respektojë masat dhe të tregojë kujdes”.

Ai e cilëson shqetësues variantin indian Delta dhe shprehet se nuk kapërcen imunitetin natyror dhe atë të imunizimit të plotë të vaksinave, por i shpëton goxha fort kur ke vetëm një dozë të Pfizer.

“Është shqetësues varianti indian, delta. Varianti indian ka 3 viruse të njohura. Ky duket se po dominon dhe variantin britanik, megjithëse transmetueshmëria është pak më e ulët se ai britanik, nuk kemi diskutim mbi faktin që të jetë më i rëndë, nuk kapërcen imunitetin natyror dhe atë të imunizimit të plotë të vaksinave, por i shpëton goxha fort kur ke vetëm një dozë të Pfizer. Kjo u testua. Ka përfitime, ka dhe humbje. Kjo duhet riparë”.

I pyetur në lidhje me të vaksinuarit që rezultojnë pa antitrupa pas marrjes së dozës së vaksinës, Alimehmeti thekson se do të ketë njerëz që nuk japin përgjigje imunitare. Sipas tij, kur të arrihet imunizimi i të gjithë njerëzve nuk do ketë probleme.