Doajeni i kirurgjisë kthehet pas 30 vitesh në Spitalin e Gjilanit

Mjeku Remzi Ali është rikthyer pas gati 30 vitesh në spitalin ku punoi po aq vite dhe ku i vuri bazat e kirurgjisë, shkruan Mediafokus.info

Tani ai nuk u rikthye në Spitalin e Gjilanit për të punuar, sepse ka arritur moshën gati 90-vjeçare, por për një test ergometrik, të cilin e kaloi me sukses.

“Thonë se jeta ka limitet e veta, por këto limite shpesh janë në dorën tonë që t’i çojmë tutje”, thotë Besim Guda  internist-kardiolog në Spitalin e Gjilanit, i impresionuar me gjendjen shëndetësore të kolegut të tij, Remzi Ali.

“Sot isha i nderuar nga një kërkesë e drejtorit klinik të spitalit tonë dr. Ukshin Ismaili, për një ekzaminim ergometrik të njërit nga kirurgët me të vlerësuar jo vetëm në Gjilan, por edhe me gjerë, dr. Remzi Ali, mjek-kirurg, njeri i punës, i aktivitetit, njeri i pa lodhur që rrallë kush e ka parë duke vozitur makinë në qytet, njeri që levizjen, ecjen e ka shndërruar në parim jete.

Dr. Remziu e kaloi me sukses testin ergometrik edhe pse tani në një moshë të shtyrë, gati 90 vjeçar, duke shënuar kështu pacientin më të vjetër që i bëmë provën ushtrimore”, ka thënë tutje mjeku Guda.

Ai rekomandon që mënyra e jetesës së dr Remzi Ali të shërbejë si shembull për të tjerët, nëse duan një jetë të gjatë e të shëndetshme.

Kush është dr Remzi Ali?

Remzi Ali ka lindur më 1933, në Ohër të Maqedonisë, ku ka kryer shkollën fillore dhe të mesme.

Në vitin 1954 ka regjistruar Fakultetin e Mjekësise në Shkup, ku ka diplomuar në vitin 1960.

Në vitin 1962 vjen në Gjilan, kur punon si mjek i praktikës së përgjithshme deri në vitin 1966.

Këtu martohet me mësimdhënësen Nazmije Ahmeti, e cila vjen nga një familje e njohur gjilanase.

Ndërkohë e kryen edhe specializimin nga kirurgjia, në Shkup.

Prej vitit 1975 deri në vitin 1984 ka qenë kryeshef i Repartit të Kirurgjisë në Spitalin e Gjilanit, dy herë drejtor gjeneral i Qendrës Medicinale në Gjilan.

Dr. Remziu, doajen i kirurgjisë gilanase, ditë dhe natë interesohej për shëndetin e popullatës në Anamoravë.

Në vitin 1985, pas rastit të njohur Martinoviq, fillojnë peripecitë e parreshtura për kirurgun Ali, pasi e kishte ekzaminuar pacientin dhe kishte konstatuar ‘vetëlëndim’.

Kundër tij u ngrit krejt politika dhe shtypi në Serbi, sepse ua kishte prishur planet që rastin t’ua faturonin shqiptarëve.

Politika e Beogradit nuk u pajtua kurrë me të vërtetën se Martinoviq ia kishte futur vetvetes shishen në prapanicë.

U shkruan gazeta, libra, u bënë emisione dhe u xhirruan dy filma për rastin Martinoviq.

Me 1993, pas një gjyqi me një akuzë të montuar, si hakmarrje për rastin Martinoviq, kirurgu Remzi Ali detyrohet të largohet në Turqi.

Atje vazhdoi punën si mjek, deri në pension, por duke e mbajtur në zemër Kosovën dhe popullin e saj, të cilin e ndihmoi shumë gjatë luftës.

Mjeku Remzi Aliu la gjurmë të pashlyeshme në mjekësinë e Gjilanit. /Mediafokus.info