Mjeku shqiptar nga Kosova merr drejtimin e një klinike në Gjermani

Një tjetër histori suksesi vjen nga diaspora shqiptare në Gjermani. Dr. Burim Prushi, me prejardhje nga Kaçaniku, është emëruar mjek kryesor (Chefarzt) i Klinikës së Mjekësisë Interne II në Gjermani, duke marrë një nga pozitat më të rëndësishme drejtuese në institucionin ku ushtron profesionin, shkruan albinfo.ch.

Ky emërim përfaqëson një vlerësim të rëndësishëm për punën, profesionalizmin dhe përkushtimin e tij shumëvjeçar në fushën e mjekësisë. Përmes angazhimit të vazhdueshëm dhe ekspertizës së fituar, Dr. Prushi ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në sistemin shëndetësor gjerman, duke fituar besimin e kolegëve dhe të drejtuesve të institucionit.

Marrja e drejtimit të Klinikës së Mjekësisë Interne II është një arritje e rëndësishme jo vetëm për Dr. Burim Prushin, por edhe një tjetër dëshmi e kontributit të mjekëve shqiptarë në institucionet shëndetësore të Gjermanisë.

Emërimi i tij është pritur me urime dhe vlerësime nga bashkëatdhetarët, të cilët e konsiderojnë këtë sukses një arsye krenarie për komunitetin shqiptar, përfundon shkrimi i albinfo.ch.