‘M`lindi djalë u gëzova shumë’, por një vit burg për gjuajtje me armë

Gjykata Themelore në Gjakovë e ka dënuar me 1 vit burgim me kusht P.A, i cili ka pranuar se në tetor të këtij viti ka gjuajtur me armë në shenjë gëzimi që i kishte lindur djalë. Kurse, Q.H është dënuar me 400 euro gjobë dhe 1 vit burgim me kusht, pasi ka pranuar se ka mbajtur armë pa leje dhe ka shtënë me të për ta frikësuar një qen endacak.

Sipas aktgjykimit, dënimet me burgim ndaj të akuzuarve nuk do të ekzekutohen nëse ata nuk kryejnë vepra tjera penale brenda periudhës verifikuese prej dy vitesh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Q.H është obliguar që gjobën ta paguajë në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Gjithashtu, gjykata ka konfiskuar armën, një karikator dhe 16 fishekë, si objekte të veprës penale.

Paraprakisht, në seancën fillestare të mbajtur paraditën e së martës, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ardita Beqiraj-Hyseni, i akuzuari P.A e ka pranuar fajësinë për përdorim të armës.

Fajtor është deklaruar edhe Q.H, për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.