Molliqaj: Kosova po rrezikohet me Albin Kurtin

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka thënë se kjo qeveri ka tendencë për zvogëlimin e demokracisë në vend.

“Ka ndërruar në shumë drejtime e qasje të rrezikshme, në disa nuk ka lëvizë fare e në disa ka pasur ndryshime që njerëzit e kanë mirëprit. Sa i përket çështjes së demokracisë, ka qenë qasje e rrezikshme. Mos të harrojmë se kjo qeveri është qeveria e vetme që një medias në Kosovë ia ka turr policinë dhe Prokurorin e Shtetit jashtëligjshëm. Kjo prokurori e polici ekziston që 22 vite dhe shkoi vetëm pas urdhrit politik”, ka thënë Molliqaj per Telegrafin.

Ai ka shtuar se qeveria e ka bllokuar sistemin e investimeve dhe ka uzurpuar shumicën e bordeve në Kosovë.

“Kryeministri bën emisione vetëm në televizionin publik, të cilin tashmë e kontrollon totalisht dhe në një televizion tjetër privat që e mbështet totalisht atë. Kryeministri nuk shkon te gazetarët. E kemi pa raportin e DASH-it ku thuhet se zyrtarët e LVV-së i kanë kërcënuar mediat. Ka një tendencë për një zvogëlim të demokracisë dhe kontroll të saj. E ka blloku sistemin e investime në Kosovë. I ka uzurpuar shumicën e bordeve në Kosovë”, tha Molliqaj.

I pari i PSD-së tha se si parti e kanë thënë se tendenca e qeverisë së re ka me qenë kapja e institucioneve me një shpjegim të ri.

“E kemi përsëritur rrezikun që vjen nga kjo mendësi qeverisje. Nëse atëherë ka qenë qasje klienteliste e shkapërderdhur brenda interesave të grupeve të ndryshme brenda subjekteve politike përpara, tani kjo është e kontrolluar nga lart – poshtë”, tha Molliqaj.