Molliqaj: Regjimi i VV’së zbaton instruksionet e Erdoganit

Lideri i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, udhëheqjen e Komunës së Prizrenit e ka quajtur ‘regjim’, duke shtuar se i zbatojnë instruksionet e Erdoganit, raporton Mediafokus.info.

Ky reagim i Molliqaj erdhi pas polemikave për shtatoren e Skënderbeut në Prizren.

Ja reagimi i Dardan Molliqajt:

Ata që e paraqesin Skënderbeun si oborrtarë të Sulltanit, janë vetë oborrtarë të Erdoganit

Ngrirjet e momenteve sublime të historisë qoftë si data, qoftë si përmendore janë shëmbylltyra për orientim.

Skënderbeu i shqiptarëve nuk është sanxhakbej, por as kalorësi i krishtërimit. Skënderbeu i shqiptarëve është Skënderbeu si unifikues antiperandorak. Skënderbeu që lirinë e gjen në shpirtin e popullit të vet.

Disiplinimi i Skënderbeut në Prizren është në përputhje të plotë me neo-otomanizmin e projektuar nga Erdogan.

Ky projektim nuk e duron Skënderbeun në pozicion lufte. Autori i veprës edhe artistikisht të shëmtuar na e tha qartë motivin dhe burimet që ka përdorur.

Ai na tha se Skënderbeu i tij është Skënderbeu i perandorisë që Sulltani e donte si të birin e vet.

Kryetari Haskuka e mbrojti atë duke e quajtur “origjinale”. Mos harroni, ky është rasti i dytë që partia regjim zbaton instruksionet e Erdoganit.

Rasti i parë është favori marramendës që ish-ministri Besnik Bislimi i pati bërë kompanisë “Limak” që është pronare e aeroportit.