Mori kërkesash nga mërgimtarët për letërnjoftime të Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka bërë të ditur se ditëve të fundit ka pasur ngarkesë në sistemin e aplikimit për marrjen e letërnjoftimëve dhe pasaportave dhe për këtë menjëherë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura për ta zgjidhur këtë problem.

“Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të MPJD-së ka zhvilluar komunikime intensive me përgjegjësit e sektorit për prodhimin e dokumenteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme për ta evituar këtë problem sa më shpejt, në mënyrë që qytetarët dhe mërgimtarët tanë të kryejnë pa probleme procedurat e pajisjes me letërnjoftim dhe pasaportë të Republikës së Kosovës. Udhëheqësit e sektorit për prodhimin e dokumenteve në MPB kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për një problem të rrjetit qeveritar, i cili ka ndikuar në këtë ngarkesë e që do të zgjidhet shumë shpejt”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, mungesa për një kohë e materialeve për prodhimin e këtyre dokumenteve, ka bërë që të ketë tejngarkim të sistemit, duke marrë parasysh se vetëm brenda pak ditësh janë prodhuar rreth 60.000 sosh.