Moti: Mëngjeset me diell, pasditët me shi

Fushat me presion të ulët të cilat kanë përfshirë Kosovën, do të vazhdojnë ndikimin e tyre edhe për gjatë kësaj jave, duke bërë që të kemi një mot të ndryshueshëm.

Pjesët e para të ditës, zakonisht fillojnë me rreze dielli, por gjatë ditës, rrezet e diellit do të zëvendësohen me vranësira, reshje shiu dhe shkarkime elektrike.

Për shkak të gjendjes së lartë termike që ishte në mesjavë dhe proceseve tjera termodinamike në troposferë, rrezikohen disa zona të izoluara me reshje breshëri, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Sa i përket temperaturave, ato mbesin në vlera të njëjta me këto të fundit, duke i ruajtur mesataret e viteve tjera të muajit gusht.

Kjo situatë meteorologjike do të ndikoj pozitivisht në kushtet biometeorologjike, hidrologjike dhe agrometeorologjike, meqë mungesa e reshjeve është prezent kohëve të fundit.

Temperaturat minimale gjatë këtyre pesë ditëve do të lëvizin ndërmjet 12-16 gradë Celsius, ndërsa maksimalet ndërmjet 23-29 gradë.

Indeksi UV mbetet në vlerat e mesatareve. Do të fryjë erë nga drejtimi i perëndimit dhe veriperëndimit e lehtë dhe lokalisht e fortë.