MPB thotë se Thaçi shkeli protokollin me vizitën në Shqipëri

Ushtruesi i detyrës i ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkelur protokollin shtetëror të martën duke shkuar në Shqipëri duke mos njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Ai ka thënë se nëse del të jetë i vërtetë raportimi se me Thaçin në Kosovë ka hyrë edhe deputeti Behgjet Pacolli, policia do të ndërmarrë masat ndaj kreut të AKR-së.

Në një konferencë për media, Sveçla ka thënë se Thaçit i duhet të tregojë pse ka shkelur protokollin shtetëror, ndërsa ka kërkuar nga Pacolli që menjëherë të dëshmojë vendndodhjen.

“Mbrëmë vonë jam informuar nga ana e Policisë kufitare që Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi ka kaluar kufirin shtetëror pak para orës 18 në drejtim të Shqipërisë. I njëjti është kthyer në Kosovë pak pas orës 19. Kur eskorta e Presidentit është ndalur, është konstatuar që në veturën e dytë ndodhet Presidenti. Po ashtu është vërejtur që Presidenti ishte ulur në ulësen e parë, përkundër rregullave të sigurisë për personat VIP. Po ashtu Policia, për shkak të xhamave të zinj, nuk ka mundur të dallojë nëse ka persona tjerë të ulur prapa. Vetura e Presidentit ka qenë e shoqëruar vetëm nga një veturë tjetër, në të cilën ka qenë vetëm shoferi.Për sqarim, në bazë të Ligjit për Protokollin Shtetëror, çdo vizitë e Presidentit jashtë kufijve, qoftë zyrtare ose private, duhet që të komunikohet te Protokolli Shtetëror i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Tashmë është konfirmuar që Protokolli i Shtetit, për kundër dispozitave ligjore në fuqi, nuk është njoftuar lidhur me vizitën e Presidentit në Republikën e Shqipërisë”, ka thënë Sveçla.