MPJD reagon pas arrestimit të qytetarit Behar Preniqi në Serbi
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës përmes një komunikate drejtuar mediave ka shpreh shqetësimin e thellë lidhur me intensifikimin e rasteve të arrestimeve arbitrare dhe të paprovokuara të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet e Serbisë.
MPJD thotë se rasti i fundit i arrestimit të qytetarit Behar Preniqi, i cili u ndalua dje në pikën kufitare Batrovci, në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë, përbën një tjetër dëshmi të qartë të praktikave të papranueshme dhe destruktive të autoriteteve serbe, të cilat bien në kundërshtim të hapur me të drejtën ndërkombëtare dhe me standardet themelore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
“Në rast se ndaj Preniqi vendoset masa e paraburgimit dhe iniciohet procedurë penale, Zyra Ndërlidhëse do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të kërkuar një vizitë zyrtare në vendin e ndalimit të tij”, vijon njoftimi.
Në këtë fazë, MPJD u bën thirrje përsëri të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të shmangin udhëtimet përmes territorit të Serbisë, për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e tyre.
“I bëjmë thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të reagojë zëshëm dhe me vendosmëri ndaj praktikave represive të Serbisë, të cilat janë në kundërshtim me parimet themelore të të drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, bëhet e ditur në komunikatë.

