MSH: Është herët për ndryshime të mëdha në masat antiCOVID

Ministria e Shëndetësisë ka nisur takimet për të diskutuar për masat antiCOVID.

Megjithëse rastet pozitive me COVID-19 kanë rënë dukshëm, nuk pritet të ketë ndryshime të mëdha në masa.

Nga kjo ministri bëjnë të ditur se është ende herët për të bërë ndryshime të mëdha në masa.

“Është e vërtetë që situata epidemiologjike këtyre ditëve është më e qetë, por është ende herët për të bërë ndryshime të mëdha në masa, duke pasuar parasysh që procesi edukativo -arsimor sapo ka filluar me kthimin fizik të nxënësve në shkolla dhe gjithashtu, gjatë kësaj kohe, ka edhe aktivitete që ndërlidhen me fushatën zgjedhore të cilat duhet monitoruar për sa i përket ndikimit që mund të kenë në situatën e përgjithshme epidemiologjike lidhur me COVID-19”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për Telegrafin.

Tutje nga kjo ministri thonë se “kërkohet një monitorim dhe analizë e kujdesshme e situatës para marrjes së çfarëdo vendimi për ndryshim të masave”.

Ndërkaq, sa i përket mundësisë për një valë të re të COVID-19, ata thonë se janë të përgatitur për çfarëdo fluksi të pacientëve.

“Institucionet shëndetësore janë të përgatitura për ta përballuar çfarëdo fluksi të pacientëve”, thuhet në përgjigjen e tyre.